Raporti Vjetor 2014

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (Autoriteti), në përputhje dhe zbatim të dispozitave të aplikueshme nga Ligji Nr. 04/L-109 për Komunikimet Elektronike dhe Ligji Nr. 03/L-185 për Shërbimet Postare, publikon Raportin e rregullt Vjetor të Punës për vitin 2014 të shoqëruar me raportin e veprimtarisë financiare të Autoritetit, i cili si i tillë me datë; 14 Korrik, 2015 është paraqitur për informim, shqyrtim dhe miratim nga autoriteti i saj themelues dhe mbikëqyrës, Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Raporti i rregullt Vjetor i Punës, në përputhje me dispozitat e përcaktuara me Ligjet e aplikueshme dhe praktikat e Autoritetit paraqet një shpalosje të përmbledhur dhe të detajuar të zhvillimeve të tregjeve që i mbikëqyr dhe rregullon Autoriteti dhe mes tjerash përmban;

Raportin e Punës të Autoritetit për vitin paraprak (2014);

-  Pasqyrat e Përgjithshme dhe Indikatorët Kryesor të Tregjeve që i rregullon dhe mbikëqyr Autoriteti (referuar si të dhënat për gjendjen në tregjet e komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare);

-  Raportin Financiar për vitin paraprak 2014;

-  Programin Vjetor të Punës për vitin në vazhdim (2015); dhe

-  Shtojcat respektive ku paraqiten të shpalosura të dhënat për autorizimet e dhëna nga Autoriteti për operime dhe ofrim të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe atyre postare.

Edhe gjatë vitit 2014 Autoriteti me përkushtim të lartë dhe përgjegjësi zyrtare e ligjore u angazhua për përmbushjen e objektivave të përcaktuara sipas dokumenteve zyrtare të miratuara nga Bordi Drejtues i Autoritetit që si drejtime kryesore kishin;

-  Zhvillimin e veprimtarisë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, Ligjet themelore atë të; Komunikimeve Elektronike dhe Ligjin për Shërbimet Postare dhe ligjet tjera të aplikueshme në Republikën e Kosovës, marrëveshjet bilaterale të cilat i ka nënshkruar Autoriteti si dhe brenda kufijve të kompetencave dhe mandatit ligjor që Autoriteti e disponon dhe konform qëllimit për të cilat i janë dhënë këto kompetenca;

-  Rregullimin e aktiviteteve të komunikimeve elektronike bazuar në parimin e neutralitetit teknologjik dhe kornizën rregullatore të BE-së për komunikimet elektronike, duke promovuar konkurrencën dhe infrastrukturën efikase në komunikimet elektronike, si dhe garantimin e shërbimeve të duhura e të përshtatshme në tërë territorin e Republikës së Kosovës;

-  Zbatimin e parimeve themelore atyre të barazisë dhe proporcionalitetit, mos-diskriminimit dhe paanësisë rregullatore, sigurimit të parakushteve për konkurrencë efektive, mbrojtje të të drejtave të konsumatorëve, promovimit të bashkëpunimit me palët subjekte të autorizuara sipas ligjit dhe personave privat si konsumator dhe shfrytëzues fundor të shërbimeve të telekomunikimeve dhe atyre postare;

-  Realizimit me sukses të prioriteteve, objektivave dhe detyrave të përcaktuara në dokumentin e Politikave të Sektorit të Komunikimeve Elektronike 'Axhenda Digjitale për Republikën e Kosovës  e Qeverisë së Kosovës  2013 - 2020' për zhvillimin sektorial; si dhe

-  Nxitjen e konkurrencës së shërbimeve si një nga parakushtet thelbësore për investime në tregjet që i mbikëqyr Autoriteti, sigurimin e cilësisë së duhur të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe postare me çmime të volitshme për përdoruesit, si dhe siguruar një nivel të lartë të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorit.