Njoftim - Raportimi i pasqyrave vjetore financiare

Për të gjithë ndërmarrësit e rrjeteve dhe/ose shërbimeve Publike të Komunikimeve Elektronike. Për Raportimin e Pasqyrave Vjetore Financiare.

Në mbështetje të nenit 10, nenit 27, paragrafët 1) dhe 3) të Ligjit për Komunikime Elektronike dhe Postare Nr. 04/L-109 (tutje referuar si – Ligji); Rregullores për Pagesat për Mbikëqyrjen e tregut të komunikimeve elektronike (Ref. Nr.Prot.021/B/13), Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) komunikon për vëmendje të subjekteve të autorizuara nga ARKEP interpretimin/njoftimin e si mëposhtëm; 

1)      Çdo  ndërmarrje individuale  apo person juridik i autorizuar nga ARKEP për ofrimin e rrjeteve dhe/ose shërbime publike të komunikimeve elektronike (ofruesit e shërbimeve të telekomunikacionit) është e obliguar që për vëmendje të ARKEP-it të dorëzojnë raportin vjetor të pasqyrave financiare për vitin e përfunduar dhe të bëjnë pagesën për mbikëqyrjen e tregut të komunikimeve elektronike, jo më vonë se deri me 30 Prill të çdo viti.

2)      Të gjithë ndërmarrësit, të cilët i plotësojnë dy nga tre kriteret si në vijim për periudhën raportuese janë të obliguar që brenda afateve të përcaktuara me ligj të dorëzojnë pasqyrat financiare të audituara nga auditori (revizori) i pavarur:

-        qarkullim vjetor (neto): më i madh se dy milion (2,000,000) Euro;

-        asetet (pasuritë) bruto në bilancin e gjendjes: më të mëdha se një milion euro (1,000,000) Euro;

-        numri mesatar i të punësuarve gjatë vitit financiar: më i madh se 10.

3)      Të gjithë ndërmarrësit, të cilat i plotësojnë dy nga tre kriteret në vijim për periudhën raportuese, janë të obliguar të dorëzojnë raportin e pasqyrave financiare të përgatitura dhe nënshkruara nga ana e kontabilistit të certifikuar së bashku me kopjen e certifikatës së lëshuar për kontabilistin nga institucioni përgjegjës:

 -        qarkullim vjetor (neto): më i madh se pesëdhjetë mijë (50,000) mirëpo më i vogël se dy milion (2,000,000) Euro:

 -        asetet (pasuritë) bruto në bilancin e gjendjes: në mbi njëzet e pesë mijë (25,000) dhe me pak se një milion (1,000,000) Euro;

 -        numri mesatar i të punësuarve gjatë vitit financiar: deri në 10.

4)      Të gjithë ndërmarrësit, të cilat i plotësojnë dy nga tre kriteret si në vijim për periudhën raportuese, janë të obliguara që të paraqesin pranë ARKEP-it kopjen e formularit të deklarimit të fitimit pranë ATK-së dhe pagesës së tatimit në fitim:

-        qarkullim vjetor (neto): më pak se pesëdhjetë mijë euro (50,000);

-        asetet (pasuritë) bruto në bilancin e gjendjes: më pak se njëzet e pesë mijë (25,000)Euro;

-        numri mesatar i të punësuarve gjatë vitit financiar: më i vogël se 10.

Prandaj, me qëllim të ofrimit të sqarimeve dhe implementimit të rregullt të dispozitave ligjore të referuara në pjesën hyrëse të këtij njoftimi dhe obligimeve të dala për gjithë operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike nga kushtet e autorizimeve dhe akteve rregullatore të aplikueshme;

Obligohen të gjithë ndërmarrësit që t’i dorëzojnë pranë ARKEP-it raportet financiare për vitin 2016, sipas formateve të përcaktuara me pikat 2), 3) dhe 4) të këtij dokumenti, më së voni deri më datën; 31 Mars 2017.

ARKEP mirëpret bashkëpunimin me të gjithë ndërmarrësit që ofrojnë rrjete dhe/ose shërbime të komunikimeve (operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të telekomunikacionit) dhe si edhe deri më tani është e gatshme që në çdo kohe të ofroj këshilla/informata në lidhje me detyrimet e dala nga raportimet vjetore financiare dhe njëherit i falënderon për bashkëpunimin dhe përmbushjen e obligimeve ligjore.