Njoftim për ndarjen e resurseve shtesë frekuencore në brezin 1800 MHz

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (Autoriteti) bazuar në procedurat, parimet themelore dhe përcaktimet ligjore të normuara sipas Ligjit Nr. 04/L-109 për Komunikime Elektronike që si objektiv kryesor kanë mundësimin e shfrytëzimit efikas dhe efektiv të resurseve të spektrit radio frekuencor, lidhur me procesin e iniciuar sipas vendimeve të Bordit Drejtues gjatë kuartalit të dytë të vitit 2015 për ndarjen e resurseve shtesë frekuencore në brezin 1800 MHz për dy operatorët e kualifikuar përgjatë procedurës; Telekomi i Kosovës Sh.A dhe IPKO Telecommunications LLC, sipas procedurës së drejtpërdrejtë (ang. Granted procedure) njofton operatorët e kualifikuar se;

Në mbledhjen e LXXIII) të mbajtur me datë; 9 dhe vazhduar me datë; 19 Tetor, Bordi i Autoritetit unanimisht ka miratuar konkluzionet (vendimet) finale lidhur me;

-          Metodologjinë e vlerësimit të brezeve frekuencore 800 dhe 1800 MHz dhe përcaktimin e koeficientit sipas formulës €/MHz/kokë banori për brezin 1800 MHz në vlerë prej 0.37 €;

-          Rekomandimin për validitetin (kohëzgjatjen) e autorizimit-eve për periudhën kohore prej 15 viteve, duke u bazuar në vlerësimet dhe praktikat rregullatore për të siguruar sigurinë dhe qartësinë e domosdoshme ligjore dhe rregullatore në një treg dinamik dhe për të mundësuar planifikimin efektiv financiar dhe afatgjatë zhvillimor nga ana e operatorëve të autorizuar; 

-          Përcaktimin e dy opsioneve për sasinë minimale prej 2x5 MHz për operator dhe atë maksimale prej 2x15 MHz për operator, që do t'i ndahen sipas vendimeve finale pas pranimit të konfirmimeve nga operatorët për shfrytëzim efektiv me fillim nga data; 6 Dhjetor, 2015 duke përfshirë edhe informacionin e plotë mbi strukturën e pagesave të detyrimeve ndaj Autoritetit respektivisht Buxhetit të Republikës së Kosovës;

Autoriteti përmes vendimmarrjes për ndarjen e resurseve shtesë në brezin 1710 - 1785 & 1805 - 1880 MHz, dy operatorëve të kualifikuar u mundëson që ti rrisin kapacitetet e rrjetave ekzistuese, duke përmirësuar dhe avancuar edhe më tutje kualitetin e shërbimeve të ofruara dhe që të gjenden më afër kërkesave të tregut respektivisht konsumatorëve si shfrytëzues fundor të shërbimeve të komunikimeve elektronike. Vendimet dhe Autorizimet Individuale për dhënien/caktimin në shfrytëzim të resurseve shtesë të frekuencave do të zyrtarizohen gjatë javëve në vijim dhe data e lejimit të shfrytëzimit komercial nga ana e operatorëve sipas vendimeve do të jetë data; 6 Dhjetor, 2015.

Autoriteti, sipas vendimeve respektive, ka përcaktuar kushtet dhe kriteret e nevojshme rregullatore që ndërlidhen me obligimet për mbulueshmërinë e shërbimeve si ato të shërbimeve të gjeneratave të reja 3G dhe 4G në zonat urbane dhe sub-urbane, gjithashtu edhe kushtet dhe kriteret për zonat rurale me teknologjinë dhe shërbimet HSPA+ duke marrë në konsideratë edhe studimin e Bankës Botërore (2015) të bërë për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Vendimet dhe Autorizimet Individuale që do nxjerren nga Autoriteti do saktësojnë se ndarja e resurseve është bazuar mbi parimin themelor të Neutralitetit Teknologjik që në praktikë nënkupton se operatorët e kanë mundësinë e zgjedhjes së planeve investive bazuar në orientimet e tyre zhvillimore dhe financiare, duke i mundësuar shfrytëzimin e rrjetave dhe teknologjive ekzistuese të parapara për shërbimet mobile (nga GSM deri te LTE+).

Autoriteti njofton opinionin e gjerë, se ashtu siç ka vepruar deri tash, do të vazhdoj të respektoj në mënyrë rigoroze parimet themelore të transparencës, mos-diskriminimit, proporcionalitetit dhe ekuivalencës funksionale duke mbajtur të informuar publikun e gjerë dhe atë profesional, të interesuar për sektorin, me vendimmarrjet e Autoritetit. Të gjitha informacionet me efekt rregullator dhe strukturor për tregun e komunikimeve elektronike do të jenë të publikuara në faqen zyrtare të Autoritetit.

Sinqerisht,

Bordi Drejtues i Autoritetit