Të nderuar lexues,
Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (tutje; Autoriteti) në mbështetje të detyrimeve ligjore, parimeve themelore dhe objektivave bazë për rregullimin e aktiviteteve të komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare si të parapara me Ligjin Nr. 04/L - 109 për Komunikime Elektronike dhe Ligjin Nr. 03/L-173 për Shërbimet Postare, me qëllim të përmbushjes së obligimit për transparencë dhe llogaridhënie publike respektivisht informimit dhe avancimit të besimit të ndërsjellë me të gjitha palët e interesit, për vëmendjen e opinionit të gjerë e publikon këtë njoftim (komunikatë) të radhës.
Raporti final dhe zyrtar i auditimit i publikuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) me Nr. Dokumenti 24.30.1-2014-08 për Pasqyrat Financiare të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare për vitin 2014, raport ky i cili pasqyron dhe vendos theks të veçantë mbi mënyrën e përdorimit të parasë publike respektivisht menaxhimin e financave nga ana e organizatave buxhetore, ka rezultuar me dhënien e 'Opinionit të Pa-modifikuar SNISA 200/1700' që sipas standardeve ndërkombëtare të auditimit të sektorit publik dhe praktikave të mira Evropiane, është opinioni më i lartë dhe pozitiv që mund të jepet nga dhe sipas standardeve të auditimit të zbatuara sipas legjislacionit të aplikueshëm nga ana e ZAP.
Për lexuesit e këtij njoftimi sqarojmë se një opinion i pa-modifikuar jepet atëherë kur ZAP është e kënaqur në të gjitha aspektet materiale të auditimit të rregullsisë dhe atë kur ZAP e ndan gjykimin dhe besimin e drejtë mbi menaxhimin e shëndosh financiar nga ana e organizatës buxhetore, realizimin e shpenzimeve të fondeve publike duke siguruar interesin e taksapaguesve dhe palëve tjera të interesit si dhe pasqyrat financiare janë në pajtim me kërkesat statusore dhe rregulloret relevante.
Autoriteti, tash më përgjatë katër viteve radhazi renditet nga ZAP në mesin e institucioneve publike me standarde të avancuara të administrimit të proceseve, ushtrimit dhe zbatimit të përgjegjësive ligjore dhe detyrave zyrtare, me çka edhe provohet vendosja e standardeve të avancuara të llogaridhënies publike si dhe procedurave efektive dhe efikase të kontrolleve të brendshme që mundësojnë dokumentim transparent dhe të qartë të të gjitha aktiviteteve dhe veprimeve të administruara nga ana e zyrtareve përgjegjës respektivisht njësive përgjegjëse pranë Autoritetit.
Kryetari i Bordit njëherazi Zyrtari Kryesor Administrativ dhe Anëtarët e Bordit Drejtues të Autoritetit së bashku me gjithë stafin si atë profesional ashtu edhe stafin mbështetës administrativ, zotohen se pavarësisht pranimit të opinioneve dhe vlerësimeve zyrtare të nivelit më të lart përmes raporteve zyrtare të nxjerra nga ana e organeve kompetente si ZAP dhe nga Departamenti i Auditimit të Brendshëm (NJAB) pranë Ministrisë së Financave për auditimin e brendshëm (Auditimi i Rregullsisë) të kryer pranë Autoritetit për periudhën 2013 dhe 2014, do vazhdojnë me përmbushjen e objektivave dhe detyrimeve zyrtare e ligjore konform rregulloreve dhe ligjeve në fuqi, duke u angazhuar në drejtim të ngritjes dhe aftësimit të vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të zyrtarëve të Autoritetit dhe avancimit të mëtutjeshëm të procedurave të kontrolleve të brendshme.