Shefi i Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, z. Anton Berisha ka zhvilluar një takim pune me një delegacion të Komisionit Evropian të udhëhequr nga znj. Cindy Van den Boogert, Administratore për Çështje Ndërkombëtare pranë Drejtoratit të Shoqërisë Informative dhe Mediave.
Gjendja në tregun e telekomunikacionit, ngritja e kapaciteteve administrative dhe përmbushja e obligimeve që kanë marrë institucionet e Republikës së Kosovës në përputhshmëri me kriteret e Bashkësisë Evropiane kanë qenë temat kryesore të takimit. Z. Berisha ka falënderuar bashkëbiseduesen për ndihmën e dhënë dhe për gatishmërinë e realizimit të projekteve të reja që do të mbështeten nga Komisioni Evropian për ngritjen e kapaciteteve administrative dhe funksionale të institucionit. Ishte konstatim i përbashkët për zhvillimin e ndodhur në sektorin e telekomunikacionit në Kosovë sidomos në liberalizimin e tregut, investime, sistemin e tarifave si dhe zbritjen e çmimeve të shërbimeve telekomunikuese.
Z. Berisha, ka siguruar zyrtaren e lartë evropiane se nuk do të ketë vakum në funksionimin e institucionit dhe së bashku kanë shfaqur shpresën që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës do të fillojnë hartimin dhe aprovimin e ligjit të ri për telekomunikacionin që do t’i përshtatet zhvillimeve të reja në këtë fushë, në përputhshmëri me Kornizën Rregullatore Evropiane 2006 si dhe në kohën e duhur do të bëjnë edhe emërimin e anëtarëve të rinj në këtë institucion.