Në mbështetje të nenit 10 dhe nenit 27, paragrafët 1) dhe 3) të Ligjit Nr. 04/L-109 për Komunikime Elektronike dhe Postare (tutje referuar si; Ligj-i) dhe Rregullores Nr. 18 për Pagesat për Mbikëqyrjen e Tregut të Komunikimeve Elektronike (Ref. Nr. Prot.021/B/13), Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (tutje referuar si; Autoriteti) komunikon për vëmendje të subjekteve të autorizuara nga Autoriteti njoftimin e si mëposhtëm;
1) Çdo ndërmarrje individuale apo person juridik i autorizuar nga Autoriteti dhe i përfshirë në një veprimtari të komunikimeve elektronike, që ofrojnë rrjete dhe/ose shërbime publike të komunikimeve elektronike (ofruesit e shërbimeve të telekomunikacionit) janë të obliguar që për vëmendje të Autoritetit të dorëzojnë raportin vjetor të pasqyrave financiare për vitin e përfunduar dhe të bëjnë pagesën për mbikëqyrjen e tregut të komunikimeve elektronike, jo më vonë se deri me 30 Prill të çdo viti.
2) Të gjithë ndërmarrësit, të cilët i plotësojnë dy nga tre kriteret e paraqitura si në vijim për periudhën raportuese janë të obliguar që brenda afateve të përcaktuara me ligj të dorëzojnë pasqyrat financiare të audituara nga auditori (revizori) i pavarur;
- qarkullim vjetor (neto); më i madh se dy milion (2,000,000) Euro;
- asetet (pasuritë) bruto në bilancin e gjendjes; më të mëdha se një milion (1,000,000) Euro;
- numri mesatar i të punësuarve gjatë vitit financiar; më i madh se 10.
3) Të gjithë ndërmarrësit, të cilat i plotësojnë dy nga tre kriteret e paraqitura si në vijim për periudhën raportuese, janë të obliguar të dorëzojnë raportin e pasqyrave financiare të përgatitura dhe nënshkruara nga ana e kontabilistit të certifikuar së bashku me kopjen e certifikatës së lëshuar për kontabilistin nga institucioni përgjegjës;
- qarkullim vjetor (neto); më i madh se pesëdhjetë mijë (50,000) mirëpo më i vogël se dy milion (2,000,000) Euro;
- asetet (pasuritë) bruto në bilancin e gjendjes; në mbi njëzet e pesë mijë (25,000) dhe me pak se një milion (1,000,000) Euro;
- numri mesatar i të punësuarve gjatë vitit financiar; deri në 10.
4) Të gjithë ndërmarrësit, të cilat i plotësojnë dy nga tre kriteret e paraqitura si në vijim për periudhën raportuese, janë të obliguara që të paraqesin pranë Autoritetit formularin e deklarimit të fitimit dhe pagesën e tatimit në fitim;
- qarkullim vjetor (neto); më pak se pesëdhjetë mijë euro (50,000);
- asetet (pasuritë) bruto në bilancin e gjendjes; më pak se njëzet e pesë mijë (25,000)Euro;
- numri mesatar i të punësuarve gjatë vitit financiar; më i vogël se 10.
Prandaj, me qëllim të ofrimit të sqarimeve dhe implementimit të rregullt të dispozitave ligjore të referuara në pjesën hyrëse të këtij njoftimi dhe obligimeve të dala për gjithë operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike nga kushtet e autorizimeve dhe akteve rregullatore të aplikueshme;
Obligohen të gjithë ndërmarrësit që t'i dorëzojnë pranë Autoritetit raportet financiare sipas formateve të përcaktuara me pikat 2), 3) dhe 4) të këtij dokumenti për vitin 2014 më së voni deri më datën; 31 Mars 2015. |
Autoriteti mirëpret bashkëpunimin me të gjithë ndërmarrësit që ofrojnë rrjete dhe/ose shërbime të komunikimeve (operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të telekomunikacionit) dhe si edhe deri më tani është e gatshme që në çdo kohe të ofroj këshilla/informata në lidhje me detyrimet e dala nga raportimet vjetore financiare dhe njëherit i falënderon për bashkëpunimin dhe përmbushjen e obligimeve ligjore.