Në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike edhe Postare (Autoriteti), në përmbushje të obligimeve ligjore që dalin nga Ligji nr. 03/L-173 për Shërbime Postare dhe Udhëzimi Administrativ nr. 05/2012 për licencim të operatorëve postar, dhe aktet tjera nënligjore në fuqi, si dhe me qëllim të krijimit të një ambienti sa më konkurrues, pas përmbushjes së obligimeve ligjore dhe rregullatore, Bordi i Autoritetit në mbledhjen e LVII) të mbajtur datat; 03 & 04 Shkurt 2014, aprovoi/ miratoi dhënien e licencave (autorizimeve) për ushtrimin e veprimtarisë së ofrimit të shërbimeve postare Ekspres (Postë e Shpejtë) dhe korrier për subjektet aplikuese;
'NPT CALI' si përfaqësuese e 'SKYNET WORLDWIDE EXPRESS', dhe
'ALBANIAN COURIER KOSOVA LLC' si përfaqësuese e 'ALBANIAN COURIER SHPK', nga Republika e Shqipërisë.
Konform procedurave të brendshme pas kryerjes së obligimeve ligjore dhe administrative nga aplikuesit subjekt të procesit të licencimit, Autoriteti edhe zyrtarisht ka bërë dorëzimin e licencave, duke i uruar subjektet e reja - operatorët postar të licencuar sukses në ushtrimin e veprimtarisë së tyre në ofrimin e shërbimeve postare ekspres dhe korrier, duke i inkurajuar për një konkurrencë të denjë dhe të drejtë në ofrimin e shërbimeve, cilësi dhe shërbime efikase dhe të shpejta, me çmime të përballueshme për të gjithë shfrytëzuesit - konsumatorët e shërbimeve.
Autoriteti konfirmon dhe siguron të gjithë shfrytëzuesit - konsumatorët e shërbimeve postare dhe operatorët postar, se do të monitoroj dhe mbikëqyrë ushtrimin e veprimtarisë së ofrimit të shërbimeve postare nga të gjithë operatorët e licencuar postar, konform dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi, duke siguruar transparencë dhe trajtim të barabartë për të gjithë.