Shërbimet e radio amatorizmit në Republikën e Kosovës, kanë rilindur me miratimin e kornizës moderne rregullatore të miratuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (Autoriteti) në Shtator të vitit 2012 që rregullon shërbimet radio amatore në Republikën e Kosovës dhe vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për aprovimin e shenjës shtetërore Z6 si shenjë e thirrjes edhe për shërbimet Radio Amatore në tërë hapësirën gjeografike të Republikës së Kosovës.
Këto veprime dhe vendime të rëndësishme të marra nga autoritetet e vendit janë përkrahur fuqishëm dhe në vazhdimësi nga ekspertët ndërkombëtar të ardhur përmes projektit 'Project Goodwill Kosovo', duke siguruar njëkohësisht edhe asistencën e vazhdueshme dhe mbikëqyrjen e ushtruar nga Regjioni 1) i Unionit Ndërkombëtar të Radio Amatorëve (IARU) në në funksion të inkurajimit dhe përkrahjes së ri-kthimit të komunitetit të radio amatorëve të vendit tonë në komunikimet dhe arenën ndërkombëtare.
Komuniteti lokal i radio amatorëve pas aktiviteteve të mësipërme dhe përkrahjes së ofruar nga mekanizmat vendore dhe ndërkombëtare shpejt kanë ri-marrë veten dhe janë ri-organizuar rreth Shoqatës së Radio Amatorëve të Kosovës, e njohur si SHRAK (Z60A), mes tjerash duke mbajtur dhe organizuar pas më shumë se 20 viteve të ndërprerjes së aktiviteteve edhe Kuvendin zgjedhor të SHRAK, me ç'rast edhe janë zgjedhur organet drejtuese të saj dhe është bërë publike angazhimi dhe interesimi i shtuar i SHRAK që të kontribuojnë në përhapjen e njohurive teknike në mesin e gjeneratave të reja për edukimin teknik, rregullator dhe ligjor për radio amatorizëm gjë që pritet të kontribuoj në masivizimin dhe rritjen e numrit aktiv të radio amatorëve në vendin tonë.
SHRAK në bashkëpunim dhe përkrahjen e Universitetit të Prishtinës, Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) kanë arritur që të përfshijnë materialet e duhura edukative për shërbimet radio-amatore në kurrikulën e lëndëve zgjedhore të studimeve të vitit të parë, tek lënda e gjuhës angleze për studentët e degës së studimeve inxhinierike.
Dita e 14 Dhjetorit, 2014 është vlerësuar nga z. Hans-Blondeel Timmerman, President i Regjionit të 1) të IARU-së si ditë historike për 52 studentët e Fakultetit të Inxhinierisë pasi që ata nën organizimin dhe mbikëqyrjen e Komisionit profesional të caktuar nga Autoriteti nacional rregullator, me sukses ju kanë nënshtruar provimit të parë për 'Nivelin Bazë për Radio Amator' të organizuar në amfiteatrin e madh të Fakultetit pas më shumë se njëzet viteve të ngecjes së kësaj fushe. z. Timmerman, i ka komunikuar me shkrim Kryetarit të Bordit të Autoritetit nacional, z. Ekrem Hoxha, se ka qenë i impresionuar me mënyrën e përgatitjes dhe udhëheqjes së provimit nga ana e Komisionit profesional miks të përbërë nga dy zyrtar senior të Autoritetit dhe një zyrtare e lartë e deleguar nga SHRAK, dhe se provimi dhe rezultatet e provimit i kanë arritur standardet e aplikueshme në fushën e radio-amatorizmit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.
Dekani i FIEK, z. Hamiti në fuqizim të misionit edukativ të fakultetit dhe në përkrahje të edukimit dhe aktiviteteve të karakterit teknik për nevojat e radio-amatorëve të rinj ka siguruar dhe ndarë hapësira adekuate dhe permanente brenda ambienteve të Fakultetit.
Mbështetur në zhvillimet pozitive të regjistruara nga aktivitetet e SHRAK, krijimit të bazës moderne rregullative të përafruar me standardet dhe rekomandimet e aplikueshme të IARU-së dhe ARRL-së, masivizimit të shërbimeve radio amatore përmes aftësimit teknik dhe në të ardhmen e afërt të certifikimit nga Autoriteti të 50 radio amatorëve të rinj me certifikatat e aftësisë, konfirmohet arritja e kapaciteteve operative të SHRAK e cila e përafron edhe më shumë përmbushjen e kritereve për paraqitjen formale të aplikacionit për anëtarësim e plotë të SHRAK pranë IARU-së dhe American Radio Relay League (ARRL) i cili edhe shërben si Sekretariati i Përgjithshëm i IARU-së.