Në përmbushje të objektivave, të cilat i janë caktuar Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) me Ligjin për Komunikime Elektronike Nr.04/L-109, neni 10 (Kompetencat e Autoritetit) dhe Dokumentit për Politika të Sektorit të Komunikimeve Elektronike: "Agjenda Digjitale për Kosove 2013-2020", ku ndër të tjera ARKEP ka për detyrë që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për implementimin dy aktiviteteve/projektet e mëposhtme:
a) Të përgatitet për krijimin e Kodit shtetëror të internetit (ccTLD) për Kosovë, duke analizuar dhe përgatitur veprimet për aplikim të Kosovës në ICANN për ndarje të gTLD, dhe
b) Themelimin dhe funksionalizimin Njësisë për Reagim ndaj Emergjencave - CERT e që ka përgjegjësinë për hulumtimin e incidenteve që ndodhin në rrjetet dhe shërbimeve elektronike,
Një delegacion i zyrtarëve të ARKEP, me qëllim të planifikimit të veprimeve të nevojshme lidhur me jetësimin e objektivave të specifikuara si më lartë, më datat: 12/11/2013 deri më 15/11/2013 kanë zhvilluar vizita studimore në vendet fqinjë: Republikën e Malit të Zi (Ministria e Shoqërisë informatike dhe Telekomunikacionit, respektivisht departamentin e CIRT dhe Rregullatorin e Komunikimeve Elektronike - EKIP) dhe Republikën e Kroacisë (CARNET dhe HAKOM).
Qëllimi kryesor i këtyre vizitave ka qenë mësimi nga përvoja e të dyja vendeve fqinjë lidhur me themelimin dhe funksionalizimin e qendrave shtetërore të tyre për menaxhimin e incidenteve në rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike (CERT) si dhe menaxhimin e domenit dhe krijimin e regjistrit për ccTLD.
Gjatë kësaj vizite, zyrtarët e ARKEP u njohën me bazën ligjore dhe dokumentet tjera strategjike për sigurinë kibernetike, aktivitetet e tyre në mbrojtjen e strukturës kritike të informacionit, fuqizimit të kapaciteteve institucionale, bashkëpunimin me sektorin privat dhe institucionet tjera në përgjigjie të situatave në rastet e incidenteve kompjuterike, sensibilizimin e publikut lidhur me përdorimin e sigurt të internetit, qasjen e adaptuar në krijimin e infrastrukturës së qendrës kompjuterike dhe njësive për menaxhimin e domeneve, etj.
Bazuar në dokumentin e Politikave të Sektorit, të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Njësia për Reagim ndaj Emergjencave (CERT) duhet të themelohet dhe të jetë plotësisht funksionale më së voni deri në vitin 2016.