Takim në mes Kryetarit BoD z.Hoxha dhe zyrtarëve të lartë të sektorit të Ekonomisë së Ambasadës së SHBA-së

Prishtinë, 31 Korrik, 2013

Kryetari i Bordit, Ekrem Hoxha me ekip ka pritur në takim pune zyrtarin e lartë të sektorit të ekonomisë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, z. Cavan Fabris me bashkëpunëtor, me të cilët ka diskutuar për trendët dhe specifikat e zhvillimeve aktuale në fushën e komunikimeve elektronike dhe atyre postare në vend duke përfshirë edhe diskutimet e ndërlidhura me procesin e dialogut teknik, për çka edhe e falënderoi dhe vlerësoi përkrahjen e ofruar në vazhdimësi nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Zyrtarët përgjegjës nga departamentet përgjegjëse pranë Autoritetit i informuan në detaje zyrtarët amerikanë me indikatorët kryesor të tregjeve që rregullohen nga Autoriteti, projektet që janë në zhvillim e sipër nga Autoriteti si dhe me arsyet kryesore pse investitorët e huaj duhet ta konsiderojnë si një treg atraktiv dhe me potencial sektorin e komunikimeve elektronike në vendin tonë.

z. Fabris, potencoi se nga ajo që është informuar paraprakisht dhe informacionet e marra gjatë takimit, vlerësohen si arritje të Autoritetit në promovimin dhe garantimin e konkurrencës efektive në treg, rregullimin efektiv dhe efikas si dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.

z. Fabris, rikonfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim dhe përkrahje të mëtutjeshme të Autoriteti përmes vlerësimit të projekt propozimeve të prezantuara nga Autoriteti për mbështetje në formë të asistencës teknike dhe realizimit të vizitave studimore të nivelit profesional, si dhe duke e vlerësuar të rëndësisë prioritare për çdo shtet fuqizimin dhe krijimin e kushteve adekuate ligjore dhe operacionale për sigurimin e pavarësisë rregullatore. Z. Fabris, mes tjerash mbështetur edhe në përvojën e tij paraprake e potencoi se ai personalisht dhe Ambasada Amerikane fuqishëm beson se autonomia operacionale, organizative dhe buxheti i Autoriteteve Rregullatore duke përfshirë aftësinë dhe pavarësinë e tyre për të rekrutuar dhe mbajtur personel të kualifikuar për të kryer detyra komplekse teknike dhe të ndjeshme absolutisht duhet të sigurohet dhe ruhet.

Së fundmi, diplomati Fabris si profesionist i shquar dhe me përvojë të çmuar paraprake në fushën e teknologjisë informative, telekomunikuese dhe atë të rregullimit të fushave të tilla, na inkurajoi që t'i mbajmë kontaktet sa më të rregullta ngase bota apo komuniteti i ekspertëve të telekomunikacionit është tejet e vogël dhe si profesionist i kësaj fushe diplomati do t'i përdorë të gjitha mekanizmat e asistencave brenda Departamentit të Shtetit për ta vënë sektorin e telekomunikacionit si prioritetit strategjik edhe në vendin tonë. Madje, gjatë gjithë bashkëbisedës dominoi fryma se ekziston korrelacion i fuqishëm në mes të rritjes ekonomike (nivelit të BPV) dhe të hyrave të sektorit të telekomunikacionit apo ekonomisë digjitale.