Autoriteti Rregullator për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) me qëllim të njoftimit të palëve të interesuara si dhe opinionit të gjërë publikon komunikatën e mëposhtme.
Dje, me datë; 22 Maj në Prishtinë, delegacionet e Agjensionit Shtetëror për Komunikime Elektronike të Republikës së Maqedonisë (AEC) dhe Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike të Republikës së Kosovës, realizuan takimin e radhës bilateral.
Tema e takimit bilateral të delegacioneve të dy autoriteteve kombëtare përgjegjëse për menaxhimin e spektrit të radio frekuencave dhe mbikëqyrjes së tregjeve të komunikimeve elektronike, ishte përmbyllja e marrëveshjes teknike për harmonizimin e kushteve dhe parimeve për përdorimin e radio frekuencave të rrjetave të komunikimeve elektronike GSM dhe UMTS në zonën ndërkufitare, dhe atë në brezet e frekuencave; 880 - 915/925 - 960 MHz, 1710 - 1785/1805 - 1880 MHz, 1900 - 1980 MHz, 2010 - 2025 MHz dhe 2110 - 2170 MHz nga ana e operatorëve të rrjeteve.
Me këtë rast, udhëheqësit e dy Autoriteteve, z. Robert Ordanovski, Drejtor i AEC dhe z. Ekrem Hoxha, Kryetar i Bordit, ARKEP nënshkruan marrëveshjen teknike ndërinstitucionale, marrëveshje kjo që përcakton kushtet teknike për përdorimin e radio frekuencave në zonat kufitare nga operatoret e shërbimeve të komunikimeve elektronike të dy vendeve tona fqinje, bazuar në përdorimin e kanaleve frekuencore/grupet e kodeve jo-preferenciale, për rrjetat GSM dhe UMTS në territoret e vendeve dhe kompetencës së dyja autoriteteve.
Zbatimi i Marrëveshjes Teknike të nënshkruar mes dyja autoriteteve, do të mundësoj funksionimin pa-ndërhyrje (interferenca) të dëmshme dhe zhvillim të mëtejshëm të rrjetave GSM dhe UMTS nga ana e operatorëve të licencuar nga autoritetet kompetente të vendeve subjekte të marrëveshjeve.
Qëllimi i marrëveshjes teknike respektivisht harmonizimit për planifikim dhe përdorim është; vendosja e parimeve, dispozitat teknike dhe procedurave administrative të nevojshme për të rregulluar shpërndarjen e përbashkët të rrjeteve GSM dhe UMTS në zonën ndër-kufitare.
Kushtet dhe përcaktimet e marrëveshjes janë të bazuara dhe karakterizuara mbi specifikat e paraqitura si në vijim;
- Procesi i koordinimit dhe harmonizimit të radio frekuencave është kryer në përputhje me parimet dhe kushtet e rekomandimit ECC/REC (05)/08 për rrjetin GSM, si dhe ECC/REC(08)02 dhe ECC/REC(01)01 për rrjetin UMTS dhe ndërveprimin e rrjeteve GSM/UMTS, rekomandime këto të Komitetit të Komunikimeve Elektronike (ECC) të Konferencës Evropiane të Administratave Postare dhe Telekomunikacionit (CEPT),
- Përdorimi i radio frekuencave në zonat kufitare ndërmjet vendeve nënshkruese të marrëveshjes do të bazohet vetëm në përdorimin e kanaleve jo-preferenciale,
- Marrëveshjet kanë marrë në konsideratë kërkesat dhe nevojat e operatorëve të vendeve në përputhje me obligimet e dala për administratat, me ç'rast me përcaktimin e vlerave maksimale të lejuara të intensitetit të fushës elektrike në zonat kufitare sipas rekomandimeve të aplikueshme të CEPT në këtë marrëveshje mundësohet evitimi i prezencës së rrjeteve të operatorëve në territoret e vendeve fqinje, si dhe shmangja e interferencave në brendi të vendit dhe zonave ndërkufitare,
- Për operatoret e dy vendeve, të gjithë parametrat teknik të specifikuar në marrëveshje do të kenë një tolerance maksimale prej 3 km nga vija kufitare, tolerancë kjo e nevojshme për të siguruar mbulueshmëri të mjaftueshme edhe për vendbanimet e lokalizuara shumë afër vijës kufitare, të cilat operatorët kanë obligim t'i mbulojnë/të ofrojnë shërbime.
- Operatorët e licencuar nga autoritetet e shteteve nënshkruese të marrëveshjeve teknike duhet që përhapjen e valëve elektromagnetike për shërbime e tyre në zonat kufitare ti harmonizojnë dhe sjellin brenda parametrave të përkufizuara me dispozitat e Marrëveshjeve Teknike jo më vonë se 60 ditë pas nënshkrimit dhe publikimit të marrëveshjes
Gjatë vazhdimit të takimit biletarel mes përfaqësuesve të autoriteteve nacionale rregullatore u shkëmbyen edhe përvojat dhe konceptimet e tyre në lidhje me çështje të tjera të fushës së menaxhimit të spektrit të radio frekuencave, drejtimet dhe projektet zhvillimore mbi implementimin dhe zbatimin e sistemeve për kontroll dhe monitorim të spektrit të radio frekuencave si dhe mundësinë e kyçjes së Kosovës në nismën rajonale për përcaktimin e rregullave mbi roaming-un në rrjetet e komunikimeve të lëvizshme brenda vendeve të rajonit, kjo në frymën e Rregullores së Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të datës; 13 Qershor 2012 mbi roamingun brenda vendeve të BE-së. Kjo nismë ka për qëllim faturimin e tarifave të arsyeshme për përdoruesin fundor gjatë lëvizjes jashtë vendit brenda rajonit.
Koordinimi i shfrytëzimit të spektrit frekuencore në zonat kufitare do të jenë procese të vazhdueshme në mes dy rregullatorëve të vendeve tona fqinje edhe për shërbime të tjera telekomunikuese si dhe për zhvillimet e reja teknologjike që angazhojnë dhe shfrytëzojnë spektrin frekuencor.
Me arritjen e këtyre marrëveshjeve teknike me autoritetet simotra nga shtetet e regjionit dhe marrëveshjeve tjera në të ardhmen për brezet tjera, ARKEP përmbush edhe një nga obligimet ligjore për krijimin e hapësirës së sigurt për operime pa interferenca, shfrytëzim efektiv të resurseve frekuencore dhe ofrim kualitativ të shërbimeve telekomunikuese nga operatorët në të mirë dhe për dobi të përdoruesve fundor (konsumatorëve) brenda territorit të vendit.