Komunikatë për Media

Të nderuar lexues, 

Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) si pasardhës ligjor i ish Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), është certifikuar nga trupa certifikuese ndërkombëtare, TUV NORD CERT për Menaxhim të Sistemit të Cilësisë në përputhje me kërkesat e standardit EN ISO 9001:2008 dhe në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullatives së aplikueshme.

Certifikimi i ARKEP dëshmon përkushtimin dhe fokusin e vazhdueshëm të Menaxhmentit Drejtues dhe Zyrtarëve Profesional në përmirësimin, avancimin si dhe dokumentimin e proceseve të administruara nga Autoriteti.

Menaxhimi i Sistemit të Cilësisë sipas standardit ISO 9001:2008 nga ARKEP dëshmon se autoriteti aplikon dhe zbaton procedura dhe procese në përputhje me mandatin, kërkesat e legjislacionit primar dhe atij sekondar të aplikueshëm (kornizës së akteve rregullatore), bën përmirësime të vazhdueshme si dhe kryen monitorim të të gjitha proceseve dhe aktiviteteve brenda Autoritetit me synim arritjen e avancimeve të mëtutjeshme të proceseve si dhe orientimit drejt shërbimit të interesave të përdoruesve (konsumatorëve) të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe postare. 

Certifikata e pranuar nga TUV NORD GmbH me datë; 06/02/2013, e bën ARKEP autoritetin e parë rregullator në vend, e cilaka vërtetuar pajtueshmërinë dhe konformitetin e sistemit të menaxhimit të cilësisë sipas normave të mësipërme ndërkombëtare.

Arsyet kryesore për aplikimin e sistemeve të menaxhimit të cilësisë në ARKEP paraqiten si në vijim;

nevoja për aplikimin e metodave të menaxhimit të ndryshimit për të rritur efektivitetin dhe efikasitetin e proceseve të administruara nga ARKEP,

- për të përmirësuar produktivitetin e nëpunësve, kapacitete planifikuese dhe menaxhuese të ARKEP,

- zbatimin e proceseve të orientuara në qasje për zgjidhjen e problemeve, nevojat e ndërgjegjësimit të nëpunësve dhe palëve të interesit me rolin dhe ushtrimin e mandatit të Autoritetit në funksion të avancimit dhe prosperitetit të sektorit të komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare që rregullohen dhe mbikëqyren nga ARKEP,

nevoja permanente për përmirësimin e komunikimit të brendshëm dhe të jashtëm,

arritjen e objektivave dhe rezultateve operative si dhe rritjen e kënaqësisë (satisfaksionit) të qytetarëve, si përdorues të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe postare.

Politika e kualitetit e ARKEP është, zbatimi i plotë dhe jo diskriminues i parimeve dhe objektivave rregullatore të përcaktuara me Ligjet burimore të sektorëve që rregullon dhe i mbikëqyr, rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit në menaxhimin e resurseve të fundme, adresohen kërkesat dhe pritjet e qëndrueshme të të gjithë operatorëve dhe ofruesve të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe postare, shërbehen interesat dhe mbrohen të drejtat e qytetarëve, si përdorues të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe atyre postare si dhe gjitha palëve tjera të interesuara.

z. Ekrem Hoxha, Kryetar i Bordit në emër të Bordit Drejtues dhe Stafit Profesional të ARKEP theksoi se;

‘Marrja e kësaj certifikate është një moment i rëndësishëm që na bën të ndihemi mirë dhe më të sigurt drejt përmbushjes së mandatit dhe objektivave zhvillimore të ARKEP, duke siguruar themeluesin e Autoritetit, në këtë rast Kuvendin e Republikës së Kosovës si dhe  palët e interesit se misioni, shërbimet e Autoritetit janë të orientuara me prioritet drejt shërbimit të interesave të përdoruesve të shërbimeve, jetësimit të politikave dhe strategjive zhvillimore të sektorëve që rregullon dhe mbikëqyr Autoriteti. E gjitha kjo me rëndësi dhe kontribut të drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm dhe prosperitetin e Kosovës, përmes rritjes së atraktivitetit për investime në sektorin e komunikimeve elektronike dhe atij postar..

Në fund dëshirojmë të ju njoftojmë  se në vazhdën e përpjekjeve për realizimin e plotë të objektivave rregullatore, ARKEP synon që gjatë vitit 2013 të akreditohet dhe certifikohet edhe me standardin ISO 27001, si një nevojë e domosdoshme për sigurinë e menaxhimit të informacionit dhe arritjen e qartësisë së duhur rregullatore dhe ligjore përmes aplikimit të proceseve më transparente për të gjitha palët e interesit.