Autoriteti Rregullator për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) me qëllim të njoftimit të palëve të interesit si dhe publikut publikon komunikatën e mëposhtme.
Me datat, 17 Janar në Podgoricë dhe në 18 Janar në Tiranë, delegacioni i Autoritetit Rregullator për Komunikime Elektronike dhe Postare i Republikës së Kosovës (ARKEP) realizoi takimet bilaterale me udhëheqësit e Agjencisë për Komunikime Elektronike dhe Shërbimet Postare (EKIP) të Malit të Zi dhe Autoritetit për Komunikime Elektronike dhe Postare (AKEP) të Republikës së Shqipërisë Autoritetit.
Temat e takimeve bilaterale të autoriteteve kombëtare përgjegjëse për menaxhimin e spektrit të radio frekuencave dhe mbikëqyrjes së tregjeve të komunikimeve elektronike dhe postare, ishte përmbyllja e marrëveshjeve teknike për harmonizimin e kushteve dhe parimeve për përdorimin e radio frekuencave në brezet 900 MHz nga 1800 MHz nga operatorët e rrjeteve GSM dhe DCS1800 në zonën kufitare ndërmjet vendeve subjekte të marrëveshjeve teknike.
Me këtë rast, delegacionet e autoriteteve kombëtare u pajtuan mbi kushtet teknike për përdorimin e radio frekuencave në zonat kufitare përfshi edhe shpërndarjen e kanaleve preferenciale dhe atyre jo-preferenciale për rrjetat GSM900/DCS 1800 në territoret e vendeve dhe kompetencës së autoriteteve.
Marrëveshja e parë ndërinstitucionale e karakterit teknik mes EKIP dhe ARKEP u nënshkrua në Podgoricë, me datë; 17 Janar, nga z. Zoran Sekuliq, Drejtor Ekzekutiv i EKIP dhe z. Ekrem Hoxha, Kryetar i Bordit të ARKEP ndërsa marrëveshja e dytë ndërinstitucionale e karakterit teknik mes AKEP dhe ARKEP u nënshkrua nga ana e z. Pirro Xhixho, Kryetar i Këshillit Drejtues të AKEP dhe z. Ekrem Hoxha, Kryetar i Bordit të ARKEP.
Marrëveshjet Teknike të nënshkruara, zbatimi i të cilave do të mundësojnë funksionimin pa- ndërhyrje (interferenca) të dëmshme dhe zhvillimin e mëtejshëm të rrjetave GSM DCS 1800 në mes vendeve subjekte të marrëveshjeve, dhe kushtet dhe përcaktimet e marrëveshjeve janë të bazuara dhe karakterizuara mbi specifikat e paraqitura si në vijim;
- Procesi i koordinimit dhe harmonizimit të radio frekuencave është kryer në përputhje me parimet dhe kushtet e rekomandimit ECC/REC (05)/08 e Komitetit të Komunikimeve Elektronike (ECC) të Konferencës Evropiane të Administratave Postare dhe Telekomunikacionit (CEPT),
- Përdorimi i radio frekuencave në zonat kufitare ndërmjet vendeve nënshkruese të marrëveshjeve do të bazohet në përdorimin e kanaleve preferenciale dhe jo-preferenciale,
- Marrëveshjet kanë marrë në konsideratë kërkesat dhe nevojat e operatorëve të vendeve në përputhje me obligimet e dala për administratat nga rekomandimet e aplikueshme, me ç'rast me përcaktimin e kanaleve preferenciale sipas këtyre marrëveshjeve mundësohet shmangja e interferencave në brendi të vendit dhe zonave ndërkufitare,
- Të gjitha kanalet të pa përcaktuara si preferenciale do të konsiderohen si jo-preferenciale,
- Njoftimet për vendosjen e stacioneve bazë në rastet e përgjithshme nuk është e nevojshme, dhe secila palë nënshkruese e marrëveshjes me kërkesë të palës obligohet ti dorëzojnë të dhënat për stacionet bazë në zonën kufitare,
- Operatorët e licencuar nga autoritetet e shteteve nënshkruese të marrëveshjeve teknike duhet ti harmonizojnë dhe sjellin brenda parametrave të përkufizuara me dispozitat e Marrëveshjeve Teknike brenda afateve kohore të paraqitura si më poshtë;
o Marrëveshja mes EKIP dhe ARKEP duhet të zbatohet më së voni deri me 1 Prill, 2013
o Marrëveshja mes AKEP dhe ARKEP duhet të zbatohet më së 18 Qershor, 2013
Gjatë takimeve dypalëshe mes përfaqësuesve të autoriteteve nacionale rregullatore u shkëmbyen edhe përvojat dhe konceptimet e tyre në lidhje me çështje të tjera të fushës së menaxhimit të spektrit të radio frekuencave, si dhe drejtimet dhe projektet zhvillimore mbi implementimin dhe zbatimin e sistemeve për kontroll dhe monitorim të spektrit të radio frekuencave.
Me arritjen e këtyre marrëveshjeve teknike, dhe marrëveshjeve tjera në të ardhmen e afërt me Republikën e Maqedonisë, ARKEP përmbush edhe një nga obligimet ligjore për krijimin e hapësirës se sigurt për operime pa interferenca brenda territorit të vendit.