Komunikata per Media nga ARKEP per vitin 2012 dhe objektivat per 2013

Të nderuar qytetar, shfrytëzues të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe postare,

Të nderuar operator dhe ofrues të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe postare,

Të nderuar miq të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP),

Në emër të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) si pasardhës ligjor i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), si autoritet me përgjegjësi publike dhe i pavarur në ushtrimin e mandatit të tij si rregullator kombëtar në fushën e shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe atyre postare, me rastin e përmbylljes së vitit kalendarik 2012 dhe të afrimit të festave të fundit vitit, përmes kësaj komunikate për media në emër të Bordit Drejtues dhe gjithë stafit të ARKEP shprehim mirënjohjen dhe faleminderimin tonë për nivelin e bashkëpunimit të arritur mes gjitha palëve të interesit, vazhdimin e besimit dhe ofrimin e mbështetjes në avancimin e sektorit të komunikimeve elektronike dhe zhvillimeve rregullatore, si një nga parakushtet dhe predispozitat themelore për zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrues të sektorëve që i rregullon dhe mbikëqyr ARKEP.

Me qëllim të paraqitjes së çështjeve, të arriturave dhe sfidave kryesore që kanë karakterizuar aktivitetet e ARKEP gjatë vitit që po e lëmë pas, si dhe çështjeve të iniciuara dhe të paraqitura si objektiva për vitin 2013, në vijim i paraqesim ato në formë të përmbledhur;  

Vështrim prapa për vitin 2012

Viti 2012 ka shënuar një përmbyllje të suksesshme drejt kompletimit të legjislacionit sekondar, rritjes së qartësisë dhe transparencës së nevojshme rregullatore për të gjitha palët e interesit, liberalizimit të mëtutjeshëm të tregut, si dhe implementimit të masave të domosdoshme për një konkurrence efektive në tregun e komunikimeve elektronike.

Disa nga zhvillimet kryesore të çështjeve rregullatore gjatë vitit 2012 janë paraqitur në vijim;

a) ARKEP me kujdesin e duhur ka përmbyllur arritjen e gjendjes optimale duke ju referuar aspektit të harmonizimit të ndarjes së brezeve frekuencore për dy operatorët ekzistues të rrjetave mobile (VALA dhe IPKO) në brezet 900 MHz dhe 1800 MHz ku dy operatorët efektivisht nga 1 janari, 2013 do kenë simetri të plotë të brezeve në dispozicion, breze këto të mjaftueshmepër shfrytëzim të teknologjive ekzistuese dhe atyre të reja.

b) Sipas rekomandimit të ARKEP, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nxjerr vendimin për liberalizimin e mëtutjeshëm të shërbimeve telekomunikuese mobile me çka janë krijuar parakushtet dhe mundësitë për shfrytëzimin e resurseve frekuencore në dispozicion nga operatorët ekzistues të rrjetave mobile për ofrimin e shërbimeve të rrjetave telekomunikuese mobile për aplikimin e teknologjive të reja të gjeneratës së tretë dhe të katërt, të njohura si teknologjitë UMTS, LTE, etj, duke mos ndikuar negativisht në konkurrencë.

c) ARKEP ka përmbyllur me sukses planin afatmesëm, për sjelljen në harmoni me kërkesat e legjislacionit të aplikueshëm si primar (Ligji për Telekomunikacionin i shfuqizuar me 24 Nëntor, 2012 me Ligjin për Komunikime Elektronike) ashtu edhe atij sekondar (korniza e akteve rregullatore) si dhe me kushtet dhe termet e licencave (autorizimeve) të operatorëve dhe ofruesve të shërbimeve telekomunikuese duke regjistruar veprimet e mëposhtme;

- Licencuar (autorizuar) edhe 19 ofrues të rinj për ofrimin e shërbimeve telekomunikuese kryesisht atyre me vlerë të shtuar dhe shërbimeve të internetit dhe 1 operatori për ofrimin e shërbimeve postare.

- Evidentuar dhe realizuar të hyra nga pagesat e rregullta vjetore nga çdo përdorim i resurseve të kufizuara (kanaleve të spektrit radio frekeuncor dhe numeracionit) si dhe nga mbikëqyrja e tregut/inspektimet e rregullta, me çka është arritur objektivi i efektivitetit dhe efikasitetit në menaxhimin e resurseve të kufizuara (niveli i të hyrave të rregullta nga mbi 700 mijë euro gjatë vitit 2009 në mbi 4.5 milion euro gjatë vitit 2012 - deri më 30 nëntor, 2012).

- Evituar dhe sanksionuar përdorimet e pa-autorizuara të brezeve frekuencore (5 vendime që urdhërojnë, sanksionojnë dhe japin udhëzimet ligjore për sjellje në harmoni me kërkesat e ligjit dhe kushteve të licencave/autorizimeve përkatëse) me çka është arritur objektivi për pastrimin e brezeve dhe para-përgatitjen për zhvillimet e parapara për vitin 2013, mes tjerash si; hapja e procedurave për dhënien në përdorim të resurseve konform kushteve dhe procedurave të parapare me Ligj që do mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrencë fer dhe efektive në gjithë sektorin dhe tregjet përkatëse të sektorit të komunikimeve elektronike.

- Rrumbullakimin e kornizës së akteve rregullatore gjitha të harmonizuara me paketën rregullatore të Bashkimit Evropian të njohur si EU Regulatory Framework 2003-2009, pako kjo e transpozuar dhe integruar në Ligjin për Komunikime Elektronike.

- Intensifikuar pjesëmarrjen në mekanizmat ndërinstitucionale rregullator në nivel regjional dhe ndërkombëtar, ku si rezultat edhe janë harmonizuar dy (2) marrëveshje teknike me shtetet e regjionit për harmonizimin e radio-frekuencave në zonën Ndërkufitare në brezet frekuencore E-GSM, GSM900 dhe DCS1800, në përputhje me parametrat teknike të rekomandimit ECC/REC (05)08 dhe HCM Marrëveshjen e Zagrebit 2010. Marrëveshjet do jetësohen gjatë pjesës së parë të vitit 2013.

- Jetësimi i masave rregullatore te vena për operatoret e përcaktuar nga ARKEP me fuqi te ndjeshme ne treg, te cilat garantojnë konkurrence efektive ne tregun e komunikimeve elektronike.

- ARKEP ka zgjidhur dy (2) raste të zgjidhjes së mos-marrëveshjeve (arbitrimit) mes operatorëve dhe ofruesve të shërbimeve telekomunikuese si dhe përmes udhëzimeve/urdhrave administrativ ka siguruar mbulueshmëri dhe kualitet të shërbimeve në zonat e banuara ku shërbimet nuk kanë arritur parametrat e kualitetit dhe mbulueshmërisë së shërbimeve.

- ARKEP edhe gjatë vitit 2012 ka arritur të përmbush një nga obligimet kryesore rregullatore përmes publikimit të raporteve periodike dhe vjetore për gjendjen e tregjeve të komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare. Dy (2) raporte të publikuara që kanë mbuluar tri kuartalet e para të vitit 2012 për gjitha tregjet e komunikimeve elektronike dhe një (1) raport që mbulon sektorin e shërbimeve postare. Me ndërtimin e historikut tash më tre vjeçar dhe konsistencës së publikimeve dhe konsolidimit të raporteve fal edhe ngritjes së kapaciteteve teknike përmes platformave softuerike që i përpunojnë dhe gjenerojnë të dhënat pranë ARKEP, vërehet tendenca që raportet e ARKEP të jenë burimi kryesor në mos i vetëm për referim nga ana e investitorëve prospektiv në sektor, operatorëve, institucioneve, profesionistëve, studentëve dhe qytetarëve të interesuar në dhe lidhur me zhvillimet në sektor.

d) Sipas rekomandimit të ARKEP, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nxjerr vendimin për miratimin e shenjës thirrëse (prefiksit) Z6 për shërbimet radio amatore me çka edhe janë krijuar parakushtet për ri-funksionalizimin dhe fillimin e ushtrimit të aktiviteteve të radio amatorizmit në Republikën e Kosovës. ARKEP deri me 20 Dhjetor, ka licencuar gjithsej 25 radio amator vendor dhe ndërkombëtar me shenjën thirrëse Z6xxx.

e) ARKEP në kuadër të objektivit për ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve teknike për menaxhimin efektiv dhe efikas të radio frekuencave ka pajisur Sektorin e Radio Monitorimit të brezit frekuencor, me pajisje të sofistikuara matëse të Radiacionit Elektromagnetik me çka edhe janë krijuar parakushtet që ARKEP gjatë vitit 2013 e tutje ti adresoj shqetësimet publike të qytetarëve nga/mbi radiacionin elektromagnetik dhe monitoroj respektimin e parametrave dhe kushteve të kompatibilitetit elektromagnetik nga ana e operatorëve të rrjetave publike.

f) Hyrja në fuqi e Ligjit për Komunikime Elektronike, ka dhe gjate vitit ne vijim do sjell ndryshimet kryesore;

- Kalimin nga regjimi i licencave individuale në atë të autorizimeve të përgjithshme si dhe eliminimi i tërësishëm i barrierave hyrëse për ndërmarrësit (ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike) siç janë; tarifat e aplikueshme për licencim, shkurtimi i afateve kohore dhe thjeshtësimi i procedurave për shqyrtimin e notifikimeve (aplikacioneve), ku vetëm aktivitetet, të cilat kërkojnë përdorimin e resurseve të kufizuara (frekuencave dhe numeracionit) do të jenë subjekt i autorizimeve individuale.

- Menaxhim më fleksibil dhe të harmonizuar të spektrit frekuencor; si dhe

- Mbrojtjen maksimale të të drejtave të konsumatorëve, përmes aplikimit të masave që garantojnë mbrojtje të konkurrencës, informim më të mirë, qasje në internet si e drejtë fundamentale, privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave, etj.

Vështrim para për vitin 2013

Mbështetur në misionin dhe mandatin ligjor, përkushtimin e Bordit Drejtues dhe stafit, si dhe dokumentet ekzekutive, si plani i punës për vitin 2013, ARKEP mbetet fuqishëm i përkushtuar dhe angazhuar për forcimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të besimit dhe nivelit të bashkëpunimit me gjitha palët e interesit, mes tjerash edhe përmes aplikimit të qasjes dhe parimeve rregullator për rregullimin minimal e të domosdoshëm dhe rritjes së qartësisë dhe transparencës rregullatore si një nga parakushtet për nxitjen e investimeve të qëndrueshme ne treg.

Gjate vitit 2013 objektivat kryesore te ARKEP do te jene; harmonizimi dhe kompletimi i legjislacionit sekondar te paraparë me Ligjin e Komunikimeve elektronike, eliminimi i barrierave per hyrësit potencial ne treg, implementimit te mekanizmave te nevojshëm, te cilët garantojnë kualitet per shërbimet bazike te komunikimeve elektronike për përdoruesit fundor, etj.

ARKEP gjatë vitit 2013 gjithnjë në referim të angazhimeve të saja të rregullta dhe çështjeve rregullatore paraqet dhe shpalos përmbledhjen e zhvillimeve të pritura dhe si më poshtë të paraqitura;

- Në përputhje me politikat qeveritare për liberalizimin e shërbimeve në sektorin e komunikimeve elektronike, 'Agjenda Digjitale 2013 - 2020' dhe objektivat e vendosura me vendimin e Qeverisë së Kosovës për liberalizimin e shërbimeve telekomunikuese, ARKEP deri në fund të tre mujorit të parë të vitit 2013 do përmbyll procesin e nxjerrjes së vendimeve për autorizimin e shërbimeve (amandamentimin e licencave) dhe rrjetave telekomunikuese mobile për aplikimin e teknologjive të reja, respektivisht ofrimin e shërbimeve dhe rrjetave të gjeneratave të ardhshme të shërbimeve telekomunikuese mobile brezëgjera (të njohura si gjenerata 3G, 4G,etj)

- Hapjen dhe dhënien në përdorim të brezeve frekuencore në brezet 3.4 deri 3.6 MHz dhe brezet tjera për të avancuar shërbimet brezëgjera të njohura si BWA, respektivisht edhe të brezeve për të cilat tregu tregon interesim dhe janë të parapara me politikat e sektorit.

- Jetësimin e veprimeve konkrete të parapara me raportet dhe rekomandimeT punuese (planet e veprimit) që do avancojnë proceset drejt sigurimit dhe implementimit të kodeve shtetërore, kodit shtetëror të telefonisë dhe kodit shtetëror të internetit (ccTLD), si dhe inicimin e veprimeve te nevojshme për marrjen e kodit gjenerik të internetit ( gTLD).

- Avancimin dhe arritjen e pavarësisë së plotë financiare dhe rrjedhimisht edhe operacionale, ruajtjen dhe avancimin e bërthamës së kuadrove profesionale duke ngritur në vazhdimësi potencialin e kapaciteteve profesionale, përmes angazhimit të kuadrove të reja.

- Jetësimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të dy marrëveshjeve të harmonizuara gjatë 2012 dhe harmonizimin e marrëveshjes së tretë me shtetet fqinje përfshi këtu edhe avancimin në trajtimet teknike dhe me interes me autoritetin homolog nga Republika e Serbisë.

- Rritur pjesëmarrjen dhe siguruar statusin e pjesëmarrësve aktiv në mekanizmat e bashkëpunimet rajonal dhe ndërkombëtar, duke përfshirë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, ku parashihet pjesëmarrja e autoriteteve rregullatore.

- Vazhdimi i dhënies së kontributit në procesin e dialogut teknik/politik për futjen brenda kornizës ligjore të operimeve të pa-autorizuara në veri të vendit, tek shërbimet mobile dhe fikse si dhe shërbimet postare.

ARKEP si edhe deri më tani i fton shfrytëzuesit e fundmë, operatorët dhe palët tjera të interesit që të rrisin nivelin e informimit të ndërsjellë, shkëmbimin e informatave, paraqitjen e shqetësimeve dhe kërkesave që bien në mandatin e Autoritetit, e gjitha me qëllim dhe interes të avancimit të sektorit, ekonomisë së vendit dhe mirëqenies së qytetarëve të vendit tonë.

ARKEP mbetet e hapur dhe e përkushtuar për të punuar me gjithë ju edhe gjatë vitit 2013!

Në fund Menaxhmenti dhe i tërë stafi i ARKEP, ju komunikon urimet më të mira dhe më të sinqerta për festat e fundit vitit.

 'Rregullimi me bashkëpunim aktiv mes akterëve dhe transparencë bëhet edhe më i thjeshtë'