Takim pune në mes zyrtarëve të ART-së dhe EKIP-it

Delegacioni i Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit (ART) i kryesuar nga z. Ekrem Hoxha, Kryetar i Bordit Drejtues të ART-së, z. Lulzim Kurtaj, Anëtar i Bordit Drejtues dhe z. Visar Halimi, Shef i Departamentit për Menaxhimin e Frekuencave (DMF), më datë; 03/10/2012, në Budva të Malit të Zi realizuan takim pune me udhëheqësit e lartë të Agjensionit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Shërbimeve Postare (EKIP) të kryesuar nga z. Zoran Sekulić, Drejtor Ekzekutiv i EKIP.

Takimi u realizua në kuadër të punimeve të konferencës disa ditore rregullatore me temë; 'Aktivitetet Rregullatore në Sektorin e Telekomunikimeve' ku ART si pjesëmarrëse e rregullt përfaqësohej nga Shefi Departamentit të Telekomunikacionit, z. Ilir Imeri, Shefi i DMF-së, z. Visar Halimi dhe Udhëheqësi i Sektorit të Radio-monitorimit, z. Astrit Ajvazi.

Qëllimet kryesore të këtij takimi ishin;

- Shqyrtimi i veprimeve dhe dinamikës mbi finalizimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes teknike rregullatore për planifikimin dhe koordinimin e frekuencave te shërbimeve GSM ne zonat ndërkufitare mes Republikës se Kosovës dhe Republikës se Malit të Zi si dhe  

- Koordinimi me EKIP mbi përcaktimin e frekuencave për shërbimet Aeronautike në brezin frekuencor; 108 - 137 MHz,

Takimi u karakterizua nga fryma dhe gatishmëria e lartë për arritjen dhe fuqizimin e marrëveshjes teknike rregullatore, ku drejtuesit dhe stafi profesional u zotuan që deri nga fundi i këtij viti të përmbyllen gjitha veprimet e nevojshme ligjore, administrative dhe teknike që do i paraprijnë nënshkrimit të marrëveshjes si dhe fillimit të zbatimit të tyre në praktikë. Drejtuesit e dyja institucioneve diskutuan edhe mbi përvojat dhe sfidat e hasura nga Agjensioni homolog dhe operatorët në/gjatë fazës së tranzicionit të planit të numeracionit.