Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART), nisur nga trajtimet dhe shkrimet e përsëritura nga mediat e shkruara dhe ato elektronike, përmes këtij njoftimi synon që të informoj dhe sqaroj opinionin e gjerë më të dhënat e si mëposhtme.
Dihet, se deri në shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, dt. 17 Shkurt 2008 dhe amandamentimin e Ligjit për Telekomunikacionit Nr. 2002/07 me Ligjin e ri Nr. 03/085 të fuqizuar me dt. 13 Qershor 2008, kompetencat dhe e drejta për të negociuar dhe koordinuar arritjen e marrëveshjeve teknike me autoritetet homologe rregullatore, shtetet dhe apo organizatat multilaterale që i përkasin sektorit të telekomunikacionit, ka qenë kompetencë e rezervuar e PSSP gjegjësisht UNMIK-u. (Neni 3 (5) i Ligjit të telekomunikacionit 2002/07).
Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART) pas emërimit të Bordit të ri Drejtues nga fundi i vitit 2009, siç edhe e bërë publike gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2010 ka realizuar aksionet për ndalimin e operimit të operatorëve të pa-autorizuar brenda territorit të Republikës së Kosovës, përjashtuar këtu pjesën veriore e cila ende mbetet subjekt i monitorimit dhe koordinimit me faktorët relevant të nivelit të vendimmarrjes ekzekutive dhe asaj politike.
ART gjatë vitit 2011 e deri më tani me intensitet dhe angazhim permanent është orientuar në arritjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe atyre teknike me autoritetet homologe rregullatore të shteteve fqinje, (Republikës së Shqipërisë - AKEP, Maqedonisë - AEC, dhe Malit të Zi - EKIP duke përjashtuar këtu Republikën e Serbisë), bazë kjo e domosdoshme dhe praktikë e normuar ndërkombëtare për inicimin, ngritjen dhe zgjidhjen e shqetësimeve në nivele të autoriteteve rregullatore mbi dhe lidhur me interferencat e shkaktuara në/dhe rreth zonave kufitare, për çështjet e ndërhyrjes së radio-frekuencave të operatoreve të telefonisë mobile në territoret e shteteve respektive.
Sektori i Radio-Monitorimit pranë ART-së, matjet për interferencat e shkaktuara nga operatoret e telefonive mobile të shteteve fqinje i ka zhvilluar gjatë periudhave të ndryshme kohore dhe në mënyrë konstante përgjatë tërë vitit 2011-2 në zonat kufitare me gjitha shtetet fqinje.
Rezultatet e këtyre matjeve kanë qenë një indikatorë i rëndësishëm për të lëvizur në drejtimin e përgatitjes së propozimeve për marrëveshjet teknike rregullatore për harmonizimin e kanaleve frekuencore në zonat kufitare në përputhje me rekomandimet evropiane, posaçërisht me respektimin e normave teknike të përkufizuara në/me Rekomandimin ECC/ERC 05/08 për 'Planifikimin dhe koordinimin e frekuencave për brezet GSM 900, GSM 1800 dhe E- GSM në zonat kufitare'.
Matjet e realizuara të kanaleve frekuencore që depërtojnë nga operatorët e telefonive mobile të shteteve fqinje në territorin e Kosovës, konstatojnë se numri kanaleve frekuencore që i tejkalojnë normat teknike sipas rekomandimeve evropiane është relativisht i ultë dhe në masë edhe i ndikuar nga konfiguracioni gjeografik i vendit tonë, por se dhe kanalet interferuese nuk kanë ndikim përcaktues në uljen e kualitetit të shërbimeve ndaj konsumatorëve dhe rrjedhimisht nuk rezultojnë me pengesa të shumta në shfrytëzimin e kanaleve frekuencore të licencuar për operatorët e licencuar nga ART.
ART si përcaktuar edhe me kushtet e licencave për operatorët e licencuar të rrjeteve të telefonisë mobile (VALA dhe IPKO), sqaron se organizimi i duhur i rrjetave dhe ngritja e nivelit të mbulueshmerise me sinjal nga operatoret e licencuar të telefonisë mobile do kontribuonte dhe ndikonte në shmangien e kyçjeve të konsumatoreve pa dashje në shërbimet e roamingut të operatoret të shteteve fqinje.
Me këtë rast dëshirojmë të sqarojmë për opinionin se rastet e ndërhyrjeve (interferencave) në nivelet e ulëta janë të zakonshme dhe regjistrohen e ndodhin në të gjitha vendet, kjo për shkak të natyrës së përhapjes së valëve elektromagnetike dhe konfiguracionit të terrenit, dhe se rregullatorët e vendeve të involvuara në interferim angazhohen në minimizimin e tyre dhe harmonizimin e kanaleve preferenciale në zonat ndërkufitare, qëllim ky edhe i ART-së i sqaruar si më sipër.
ART njofton se draftet e marrëveshjeve teknike me karakter rregullator mes autoriteteve homologe, AKEP, AEC dhe EKIP janë në fazën e përmbylljes dhe procesi i negocimit dhe konsultimit në shtetet respektive rezulton tani të jetë në fazën përfundimtare. ART pret që marrëveshjet e para të nënshkruhen dhe finalizohen gjatë muajve në vijim.
Për informim të publikut dhe palëve të interesit, sqarohet se bazuar në këto dokumente teknike dhe rekomandimet e sipër potencuara, operatorët e licencuar do obligohen nga autoritetet nënshkruese rregullatore që brenda një periudhe transitore prej 60 ditësh, bazuar në kriteret teknike të precizuara me dokumentet teknike, do i lejohet që numri i kanaleve të caktuara frekuencore të lejohen të depërtojnë në brendi të territorit në zonat kufitare në distancë deri 10 km duke mos arritur intensitetin e fushës më të madhe se 19 dBμV/m për frekuencat në brezin 900 MHz dhe 25 dBμV/m për kanalet frekuencore ne brezin 1800 MHz, kritere këto që janë në përputhje dhe të harmonizuara me Rekomandimin ECC/ERC 05/08, rekomandim ky në zbatim nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian sipas termeve të marrëveshjeve ndërkufitare për shërbimet GSM.
Me respekt,
Departamenti për Menaxhimin e Frekuencave, ART