Në zbatim të ligjit të telekomunikacionit dhe vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për miratimin e shenjës shtetërore Z6 (me datë 29/08/2012) si shenjë thirrëse në tërë territorin gjeografik të Republikës së Kosovës, Bordi Drejtues i Autoritetit Rregullator te Telekomunikacionit ka miratuar Rregulloren për Shërbimet Radio Amatore, me çka edhe janë krijuar parakushtet e duhura ligjore për udhëheqjen dhe zhvillimin e radio amatorizmit në Republikën e Kosovës.
Me rastin e ri-funksionalizmit dhe fillimit të aktiviteteve të radio amatorizmit në Republikën e Kosovës pas më shumë se dy dekadave, nën përkujdesjen e ART-së ne bashkëpunim me radio amatorët ndërkombëtar te prirë nga Presidenti i Regjionit te parë te Unionit Ndërkombëtar te Radio Amatoreve (IARU), z. Hans Blondeel Timmerman dhe të Shoqatës së Radio Amatoreve vendor, u organizua një aktivitet dy ditor me 17 & 18 Shtator. Pjese te delegacionit ishin personalitete të shquara ndërkombëtare te radio amatorizmit, SHBA, Britania e Madhe, Finlanda, Kroacia, Holanda dhe personalitete e zyrtar te larte nga institucionet vendore, si përfaqësues nga MASHT dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Shoqatës së Radio Amatorëve të Kosovës.
Gjatë këtij aktiviteti u shpërndanë edhe licencat e para për radio amatorët vendor dhe ata ndërkombëtar si dhe u realizua ceremonia e thirrjeve te para me shenjën e re thirrëse të Republikës së Kosovës - Z6. I gjithë aktiviteti është mbuluar nga Radio Televizioni i Kosovës.
Tani e tutje Shoqata e Radio amatorëve të Kosovës si dhe të gjithë entuziastët e rinj të cilët do të licencohen, do të mund të zhvillojnë aktivitetin e shërbimit radio amator në Republikën e Kosovës duke përdorur shenjën e thirrjes Z6.