Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART), pas shqyrtimit me kujdes të veprimtarisë së ndërmarrjeve (Internet Service Provider – ISP) që ofrojnë shërbime të internetit në tregun e telekomunikimeve në Republikën e Kosovës, ka konstatuar se një numër i konsiderueshëm i tyre veprojnë pa-licencë/autorizim adekuat nga ART, për ofrimin dhe shpërndarjen e shërbimeve të internetit dhe shërbimeve të kabinave telefonike (postave private).
Andaj, ART rikujton dhe fton ndërmarrjet, grupet ose individët, të cilët direkt ose indirekt janë të përfshirë në ofrimin e shërbimeve të internetit jo-të autorizuara/licencuara që në afatin prej 45 ditësh nga dita e publikimit të komunikatës të drejtohen në lokalet e ART për t’u pajisur me licencë/autorizim për shërbimet e ofruara. Në të kundërtën do të shqiptohen masa adekuate ndaj personave juridik dhe fizik, të cilët edhe pas skadimit të këtij afati vazhdojnë të ofrojnë shërbimet të tilla pa autorizime përkatëse.
ART edhe më parë në vazhdimësi ka rikujtuar qytetarët e Republikës së Kosovës që ekskluzivisht të shfrytëzojnë shërbime telekomunikuese, të cilat ofrohen nga operatorët dhe ofruesit e shërbimeve telekomunikuese, të cilët kanë autorizim/licencë adekuate nga ART, përndryshe institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të mbajnë përgjegjësi për pasojat eventuale gjatë aktiviteteve ditore për jetësim të ligjeve në fuqi.
ART brenda mandatit të saj ligjor mbetet thellësisht e angazhuar në krijimin e kushteve dhe të ambientit favorizues për investime të reja në sektorin e telekomunikimeve në nivel nacional dhe regjional si parakusht thelbësor për zhvillim të shoqërisë së informacionit në Republikën e Kosovës. Efektet nga kjo priten në të gjitha fushat e jetës së qytetarëve, duke përfshirë edhe kontributin për qeverisje të mirë dhe ligjshmëri në vendin tonë.
Palët e interesuara për këshilla mund ti drejtohen ART-se përmes postës elektronike në e-mail zyrtar info@art-ks.org ose rrezarta.ajeti@art-ks.org ose përmes thirrjes ne numrin 038 212 345.