Komunikatë për opinionin - Faza II Operacion ndaj Operatorëve Ilegal

Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART) në kuadër të mandatit ligjor dhe objektivit për vendosjen e ligjshmërisë në tregun e telekomunikimeve të Republikës së Kosovës, me datë 24 Shtator, 2010 ka autorizuar fillimin e jetësimit të fazës së II të operacionit ndaj operatorëve ilegal, shfrytëzues të brezit/spektrit radio-komunikues (frekuencave).

   Faza II e operacionit në bashkëpunim dhe në asistim të organeve të sigurisë dhe rendit publik është implementuar në terren gjatë datave; 26 & 27 Shtator, 2010 dhe kjo fazë ka pas si objektiv neutralizimin e 23 radio-sistemeve dhe pajisjeve përcjellëse telekomunikuese të lokalizuara në 21 lokacione.

   Në rastin e ndërprerjes se funksionimit të shërbimeve të Telefonisë Mobile të Operatoreve Ilegal (MTS) në kuadër të 23 Lokacioneve, ka pasur edhe lokacione/stacione që kanë përmbajtur sisteme të transmetimit Mikrovalore PTP ( Point-to-Point) që kanë ndërlidhur shërbimin ilegal të telefonisë mobile në Kosovë me burimin e shërbimeve të MTS në Serbi, dhe largimi apo ndërprerja e sistemeve mikrovalore PTP ka qenë nevojë e pashmangshme për ndërprerjen e këtij shërbimi dhe pa-mundësimin e ri-aktivizimit në këto lokacione të telefonisë mobile. Sikur ART të largonte apo ndërpriste funksionimin vetëm të BTS-ve me sektorët e antenave GSM pa sistemet ndërlidhëse mikrovalore, mundësia e ri-aktivizimit do ishte e lehtë dhe shpejtë e realizueshme.

   Rrjeta boshtore (Back Bone) mikrovalore PTP e operatorit Ilegal (MTS) të telefonisë mobile, në raste të caktuara është bashkë shfrytëzuar edhe për shërbime (si Internet dhe Telefoni fikse) dhe  ndërprerja e një linje të tillë, ndërprenë njëkohësisht edhe shërbimet tjera që kanë qenë të multipleksuara në atë shteg (gjegjësisht telefonia fikse dhe interneti i ardhur nga operatorë të pa-autorizuar).

   Andaj, ART fton operatorët e telefonisë fikse dhe ofrues të tjerë të shërbimeve telekomunikuese e që nuk janë të pajisur me liçensë adekuate, të aplikojnë sa më parë në mënyrë që ART t’i liçensojë ata duke u siguruar funksionim normal dhe mbrojtje të atyre rrjetave.

   Si rezultat, ART konfirmon se me jetësimin e kësaj faze të operacionit janë përmbushur gjitha objektivat e realizueshme dhe se me kompetencë zyrtare konfirmohet se është ndërprerë bërthama dhe kapacitetet kryesore funksionale të operatorëve ilegal të shërbimeve telekomunikuese në territorin e Republikës se Kosovës, përjashtuar këtu pjesën veriore e cila do mbetet subjekt i vlerësimeve të mëtutjeshme nga aspekti teknik dhe ai i sigurisë.

   Për ART-në procesi i ndalimit dhe ndërprerjes së përdorimit ilegal dhe anti-ligjor të resurseve të kufizuara frekuencore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, do të jetë permanent dhe mbahet nën mbikëqyrje të vazhdueshme.

   Si edhe me rastin e fazës së I të operacionit jetësuar gjatë muajit Prill 2010, ART ri-thekson se autorizimi dhe ndërmarrja e këtyre veprimeve ligjore nuk janë të drejtuar kundër asnjë etniteti apo shteti të veçantë, por ndaj të gjithë atyre operatorëve që nuk i kanë dhe nuk i respektojnë normat ligjore në fuqi.

   ART fuqishëm riafirmon përkushtimin e saj për funksionimin e rendit dhe ligjit dhe rregullimin e tregut të komunikimeve elektronike, me qëllim dhe objektiv krijimin e hapësirës dhe inkurajimin e  investitorëve në sektor të telekomunikacionit dhe komunikimeve elektronike.

   ART, sqaron opinionin e gjerë publik se tani do duhej të jetë mëse e qartë se përpjekjet eventuale të operatorëve ilegal dhe te mbështetësve te tyre për ri-aktivizim dhe ri-fillim eventual të ofrimit të shërbimeve të pa-autorizuara, SIGURISHT se nuk do të rezultojnë të frytshme pasi që ART me konsekuence do të përcjell çdo aktivitet ne këtë fushe dhe me kohë do të autorizoj ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme.