Përmes kësaj komunikate njoftojmë opinionin se, në procesin gjyqësor të inicuar nga Spanja ndaj Komisionit Euriopian, lidhur me pjesmarrjen e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në takimet e Entit të Rregullatorëve Evropianë për Komunikime Elektronike (BEREC), Republika e Kosovës nuk është palë në këtë rast. Rrjedhimisht, ARKEP si pjesmarrës me të drejta të barabarta në BEREC, deri më tani nuk ka pranuar asnjë shkresë ose vendim nga ndonjë Institucion i Bashkimit Eruropian (BE) lidhur me këtë çështje.
Sidoqoftë, përmes mjeteve të informimit publik dhe Komunikatës së publikuar nga Gjykata e Drejtësisë së BE-së, ARKEP është njoftuar lidhur me anulimin e vendimit të Komisionit Europian që lejon Kosovën të marrë pjesë në BEREC.
Megjithatë, me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik, kjo nuk nënkupton përjashtimin e ARKEP nga BEREC-u. Përkundrazi, për të mos penguar pjesëmarrjen e ARKEP në punën e BEREC-ut, Gjykata e Drejtësisë ka vendosur që efektet e vendimit të Komisionit Europian të zbatohen deri në hyrjen në fuqi të ndonjë marrëveshjeje të re pune të lidhur ndërmjet BEREC-ut, Zyrës së BEREC-ut dhe ARKEP.
ARKEP që nga viti 2019 merr pjesë aktive në takimet e BEREC, si në nivelin teknik (10 grupe punuese të ekspertëve) ashtu edhe në atë të Bordit të Rregullatorëve. Për informimin e juaj, komunikimi dhe bashkëpunimi me BEREC ka vazhduar edhe vazhdon ende në kuadër të përmbushjes së objaktivave të përbashkëta.
ARKEP, në funksion të zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive, të cilat dalin nga Korniza Rregullatore në fushën e Komunikimeve Elektronike, mbetet i angazhuar në përmbushjen e synimeve de objektivave për zhvillimin e mëtutjeshëm të tregut dhe mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës në përfaqësimet ndërkombëtare.