Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi në mes të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) dhe Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE)

Në frymën e vazhdimit të bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy institucioneve, dje më datë; 10 Shkurt 2022, në Prishtinë, u nënshkrua Memorandum i Bashkëpunimit në mes të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë për Komunikime Elektronike (AEK) të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Memorandumi i Bashkëpunimit u nënshkrua nga z. Nazim Rahimi – Kryetar i Bordit të ARKEP, dhe z. Jeton Akiku – Drejtor Ekzekutiv i AEK.

Me këtë rast, përfaqësuesit e të dy institucioneve shprehën përkushtimin për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer, të cilin e kanë patur deri më tani, dhe u zotuan se me arritjen e kësaj marrëveshjeje, do të vazhdojnë të përkrahin njëra tjetrën në fushat e interesit të përbashkët.

Memorandumi i bashkëpunimit ka për qëllim përcaktimin e modaliteteve, instrumenteve  dhe mënyrave të bashkëpunimit në mes të palëve nënshkruese, me qëllim të zhvillimit të aktiviteteve në fushat respektive që i rregullojnë të dy Institucionet.

Përveç nënshkrimit të marrëveshjes u zhvilluan bisedime edhe në nivel të ekpertëve të të dyja vendeve, të cilët shkëmbyen përvojat e tyre në fushat specifike siç janë; zhvillimet rreth implementimit të rrjetave 5G;  ecuria e implementimit të marrëveshjes së roamingut në vendet e Ballkanit Perëndimor; veprimet lidhur me procesin e adresimit të çështjes së produkteve nga prodhuesit e dyshimtë, dhe arritja e marrëveshjes së re teknike për koordinimin e frekuencave ndër-kufitare.

Memorandumi i bashkëpunimit gjithashtu përcakton fushat e veprimit të përbashkët, të cilat do të përfshijnë shkëmbimin e përvojave dhe praktikave në fushën e rregullimit të tregut të komunikimeve elektronike dhe forma të ndryshme të trajnimit të përbashkët profesional, pjesëmarrjen në konferenca dhe simpoziume të ndryshme ndërkombëtare.