KOMUNIKATË PËR MEDIA

 

Lidhur me dukurinë e dërgimit të mesazheve (sms) nga operatori IPKO në lokacionin e Manastirit të Deçanit.

ARKEP sqaron se sipas informatave që ka marrë nga operatorët, kjo dukuri ka ndodhur si pasojë e vendosjes së marrëveshjes së re për roaming ndërkombëtar në mes të operatorit IPKO dhe Telekomit të Serbisë. Siç duket, në këtë lokacion (zona e Manastirit të Deçanit), si pasojë e një lëshimi teknik nga Telekom Serbia dhe humbjes së sinjalit nga rrjeti amë i konsumatorëve të IPKO-s, disa konsumatorë të saj janë lokalizuar në roaming dhe me këtë rast kanë pranuar mesazhe mirëseardhjeje në shtetin e Serbisë.

Po ashtu ARKEP, konfirmon se janë bërë verifikime dhe testime në disa lokacione, si dhe në lokacionin e caktuar, dhe ka konstatuar se ky problem është eliminuar. Lidhur me këtë ARKEP, ka pranuar përgjigje të detajuara lidhur me rastin dhe evitimin e kësaj dukurie. ARKEP sqaron se mesazhet në fjalë nuk i ka dërguar MTS doo, mirëpo janë mesazhe që u dërgon IPKO konsumatorëve të vet kur ata lokalizohen në roaming në një shtet të huaj.

ARKEP vazhdon ta trajtoj këtë çështje me prioritet të lartë duke krijuar një komision të veçantë për të analizuar detajet në mënyrë që dukuritë e tilla të mos përsëriten në territorin e Republikës së Kosovës.

Për t’u informuar më detajisht lidhur me këtë çështje, më datë 29.07.2021 ARKEP-in e vizituan Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, udhëhequr nga znj. Jeta Statovci, nënkryetare e parë e komisionit, me deputetët, z. Driton Hyseni, znj. Mimoza Kusari-Lila, dhe z. Pal Lekaj.

Deputetët e Komisionit u pritën nga z. Nazim Rahimi, Kryetari i Bordit të ARKEP-it, me bashkëpunëtorë, të cilët i’u përgjigjën shqetësimeve të deputeteve, duke i njoftuar ata hollësisht lidhur me dukurinë në fjalë.

ARKEP-i mbetet i përkushtuar t’a monitorojë në vazhdimësi situatën në terren në mënyrë që dukuri të tilla të mos përsëriten dhe e inkurajon publikun që për çdo parregullsi te mundshme të raportoje në adresën: konsumatori@arkep-rks.org.