KOMUNIKATË PËR MEDIA

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) njofton opinionin publik se nga data 1 Korrik 2021, konsumatorët e telefonisë mobile gjatë qëndrimit në njërin nga vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Maqedoni Veriore, Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe Serbi) nuk do të paguajnë asnjë tarifë shtesë për shërbimet e rregulluara të roamingut (thirrjet e realizuara ose pranuara, SMS të dërguar dhe të dhëna/data të shfrytëzuara), përveç tarifës e cila aplikohet në Republikën e Kosovës (Roam Like at Home - RLAH).

Sidoqoftë, për hirë të informimit të drejtë të konsumatorëve, operatorët kanë të drejtë që në planet e tyre tarifore të ofrojnë pako pa roaming. Kalimi/transferimi midis planeve tarifore me ose pa shërbime roaming duhet të ndjekë të njëjtat procedura si kalimi midis planeve tarifore të tjera të zakonshme në Republikën e Kosovës. Vetëm konsumatori ka të drejtë të fillojë një proces ndryshimi të planit tarifor, dhe gjithashtu konsumatori duhet të japë pëlqimin e shprehur përpara çdo ndryshimi të planit tarifor.

Ofruesit e shërbimeve të telefonisë mobile nuk duhet të aplikojnë tarifë shtesë për SMS-ët e pranuar dhe voicemail nga parapaguesit gjatë shfrytëzimit të shërbimeve të roamingut. Ndërkaq, dëgjimi i “Voicemail” mund të jetë objekt i tarifimit nga operatori.

Pas datës 1 Korrik 2021 operatorët nuk mund të aplikojnë tarifa shtesë për parapaguesit pa autorizim paraprak për një veprim të tillë nga ARKEP në përputhje me politikën e përdorimit të drejtë FUP (Fair Usage Policy). Sidoqoftë, operatorët mund të aplikojnë tarifa shtesë në rastin kur niveli i konsumimit të të dhënave e kalon volumin e lejuar (fair use volume limit), i cili është i specifikuar në kontratën me parapaguesin.

Informatat më të detajuara lidhur me përdorimin e shërbimeve të roamingut, janë paraqitur në Rregulloren e FUP (linku: http://www.arkep-rks.org/?cid=1,34,1272) dhe Udhëzuesin për Konsumatorë për RLAH (linku: http://www.arkep-rks.org/?cid=1,27) 

ARKEP, në funksion të zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive, të cilat dalin nga Ligji bazë Nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike do të verifikojë për së afërmi zbatimin e Marrëveshjes së Roamingut dhe mbetet i përkushtuar në vazhdimësi për rregullimin e tregut mbi bazën e parimeve themelore, të cilat garantojnë konkurrencë efektive, transparencë, mosdiskriminim dhe para së gjithash mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit.