Komunikatë për publikun

Me datë 31 maj 2021, në mënyrë ceremoniale edhe zyrtarisht u bë dorëzim-pranimi i detyrës i anëtarëve të rinj të Bordit të ARKEP-it.

Kryetari i ri i Bordit të ARKEP-it, z. Nazim Rahimi, pranoi zyrtarisht detyrën nga ish-kolegë, anëtarë të Bordit, Nijazi Ademaj, Hazir Hajdari dhe Bahri Anadolli.

Ish-anëtarët e Bordit e uruan z. Rahimi për marrjen e detyrës dhe e njoftuan për punët dhe proceset, të cilat janë zhvilluar deri më tani, si dhe ato që janë në zhvillim e sipër në ARKEP.

Z. Rahimi i falënderoi ata për punën, kontributin dhe angazhimin e tyre përgjatë periudhës sa kanë shërbyer si anëtarë të Bordit në ARKEP. Ai theksoi se para Bordit të ri mbeten shumë sfida dhe detyra të rëndësishme që kërkojnë trajtim meritor. Gjithashtu, z.Rahimi tha se Bordi i ri do të jetë në nivel të lartë gatishmërie për kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të marra në përputhje me mandatin që ka, si dhe do të angazhohet për të siguruar një klimë sa më të mirë për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të sektorit të komunikimeve elektronike dhe postare në vendin tonë.