ART viziton rregullatorin e Kroacisë

Zagreb, 10-11 dhjetor 2009

Me 10 dhe 11 dhjetor 2009, delegacioni nga Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART), i kryesuar nga Kryetari i Bordit z. Ekrem Hoxha, realizuan një vizitë pune në Agjencinë për Komunikime Elektronike dhe Postare të Kroacisë, HAKOM, me ftesë të kësaj të fundit.

Qëllimi i kësaj vizite ishte përforcimi i bashkëpunimit mes dy rregullatorëve në fushat e interesit të përbashkët, gjë që do të rregullohet me një memorandum mirëkuptimi, përmes të cilit do të mundësohet shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira evropiane në zhvillimin e sektorit të telekomunikimeve.

Delegacioni i ART-së e falënderoi z. Miljenko Krvišek, zv.Kryetar i Këshillit Drejtues dhe z. Dražen Lučić,  Drejtor Ekzekutiv të HAKOM-it, për gatishmërinë e institucionit që ata e udhëheqin për të realizuar bashkëpunim e projekte në shkëmbimin e njohurive dhe përvojave të të dy rregullatorëve në fjalë, në vecanti në lëmin e ngritjes së kapaciteteve profesionale të stafit të ART-së, e cila do të konkretizohet gjatë javës pasuese me një punëtori që HAKOM do të organizojë për stafin teknik të ART-së.

Kjo vizitë realizohet si pjesë e strategjisë së menaxhmentit të ART-së për bashkëpunimin afatgjatë me rregullatorët rajonalë dhe evropianë të telekomunikacionit, në funksion të realizimit të synimeve për ngritjen e vazhdueshme të sektorit të telekomunikimeve, menaxhimin e sfidave dhe integrimin në mekanizmat përkatës evropian dhe botërorë.