Shkup, 14-16 dhjetor 2009
Kryetari i Bordit te ART-së, z. Ekrem Hoxha së bashku me Anëtaret e Bordit, z. Lulzim Kurtaj dhe z. Besnik Berisha, nga 14-16 dhjetor 2009 në Shkup të Maqedonisë, morën pjesë në punëtorinë me temën: “Telecommunication and Media Sectors Convergence and Implications for Policy Makers and Regulators” që u organizua nga AEC (Agjencioni per Komunikime Elektronike i Republikës së Maqedonisë) me përkrahjen e ITU-së, Zyra për Zhvillimin e Telekomunikimeve (International Telecommunications Union- Telecommunications Development Bureau) dhe Akademia e Telekomunikimeve për Evropë Juglindore, INA Academy, nga Greqia.
Ne këtë punëtori treditëshe, pjesëmarrëse ishin delegacionet e gjithë rregullatorëve nga rajoni përfshirë edhe zyrtarët nga ETNO (European Telecommunication Network Operators Association) dhe ligjërues/akademik nga institucionet akademike të regjionit. Temat e diskutuara në këtë punëtori lidheshin me çështjet e politikave rregullatore për tregjet e internetit, konvergjenca e teknologjive dhe rregulloret, strategjitë për brezin e gjerë në shërbimet mobile, platformat për komunikimet pa tela dhe tema të tjera me theks të veçantë në punën dhe sfidat e rregullatorëve në krijimin e kushteve legjislative dhe praktike për teknologji të reja në tregjet përkatëse.
Pjesëmarrja e delegacionit te ART-së në këtë punëtori ishte e rëndësisë së veçantë pasi që temat e shtjelluara së bashku me mundësinë interaktive të diskutimit të çështjeve me interes për pjesëmarrësit me zyrtarët nga INA Academy dhe rregullatorët tjerë ishte mjaft unike.
Gjatë seancave të punës me grupe dhe delegacione tjera, delegacioni i ART-së pati rastin t’i njoftojë pjesëmarrësit me iniciativat e reja dhe projektet të cilat kanë për qëllim krijimin e kushteve të përshtatshme për të gjithë operatorët ekzistues dhe potencialë në tregun e telekomunikimeve në Kosovë, ku rëndësi e veçantë do t’i kushtohet përkrahjes së teknologjive të reja, në harmoni me direktivat dhe praktikat më të mira evropiane dhe botërore.