Komunikatë nga Bordi i ARKEP

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) është duke vazhduar ta trajtojë me prioritet  të lartë procesin e përmbylljes së raportit komercial ndërmjet Operatorit të rrjetit të telekomunikimeve -Telekomi i Kosovës dhe Operatorit Virtual të Rrjetit Z Mobile, me fokus të veçantë për sigurimin e shërbimeve për përdoruesit fundorë (konsumatorët), përkundër faktit se marrëveshja e Telekom (ish-PTK)  me Dardafon (Z mobile) ka qenë natyrës komerciale  apo private siç njihet nga shumica e rregullatorëve evropian.

ARKEP, që nga njoftimi zyrtar nga Telekomi i Kosovës  për ndërprerjen e këtij bashkëpunimi,  ka marrë disa veprime rregullative me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve, ndër të tjera, edhe duke kërkuar nga palët që të përmbahen nga veprimet e njëanshme që do të mund ta dëmtonin konusmatorin. Në funksion të kësaj, për shkak të rëndësisë që ka kjo çështje, është trajtuar në pesë mbledhje të Bordit të ARKEP, nga data 26 korrik 2019.

ARKEP i bënë me dije konsumatorët e shërbimeve dhe opinionin e gjerë se, sa i përket çështjes së numeracionit në përdorim për telefoninë mobile në Republikën e Kosovës, Ligji për komunikimet elektronike dhe Rregullorja për Planin Kombëtar të Numeracionit, e përcaktojnë qartë mënyrën e aplikimit dhe ndarjes për përdorim apo transferim të numeracionit nga ARKEP, për ndërmarrjet që operojnë në tregun e komunikimeve elektronike.

Po ashtu njoftojmë se, ARKEP deri me tani nuk ka pranuar ndonjë aplikim formal për, ndarje, ndërprerje të përdorimit apo transferim të numeracionit të përdorur nga Z mobile, ashtu siç e parashihet për vendimmarrjen në lidhje me resurset e komunikimeve elektronike me Ligjin dhe Rregulloren e lartpërmendur.

Njëkohësisht, në këtë rast ARKEP vënë në pah se,  nuk bëhet fjalë për mungesë të numeracionit  të cilin operatorët, përfshi edhe Telekomin  e Kosovës, e kanë në dispozicion, sepse ata kanë kapacitete shumë më të mëdha sesa numri i klientëve të tyre dhe mund të marrin edhe numeracion shtesë në rast të paraqitjes së nevojës, në çdo kohë.

Por,  në secilin rast, është në diskrecion të përdoruesve fundor që të vendosin se shërbimet e cilitdo operator do t'i marrin në shfrytëzim, megjithatë ARKEP, do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme që qytetarët të mund të mbajnë numrat e tyre, duke ua mundësuar vijueshmërinë e shërbimit, i cili në këtë rast është dhënë nëpërmjet rrjetit të operatorit Telekomi i Kosovës.

Duke qenë se bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy operatorëve ka qenë i bazuar në aspekte komerciale dhe jo i imponuar nga rregullatori, atëherë, edhe zgjidhja për këtë çështje do të duhej të vinte nga operatorët. Megjithatë, ARKEP është e gatshme të marrë vendime rregullatore në përputhje të plotë me ligjin për komunikimet elektronike, me qëllim që konsumatorët të mund të mbajnë numrat e tyre dhe të kenë vijimësi të shërbimit.

Duke ditur rëndësinë e kësaj çështje si dhe bazuar në faktin se Republika e Kosovës në fushën e komunikimeve elektronike e shfrytëzon plotësisht kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian, ARKEP ka kërkuar edhe ndihmën e Organit Evropian të Rregullatorëve të Komunikimeve Elektronike (BEREC)  lidhur me  çështjen konkrete në veprim. Për më tepër Bordi i ARKEP ka vendosur që të marrë edhe një ekspertizë ndërkombëtare për ta ndihmuar për trajtimin e çështjes në fjalë. Termat e referencës për këtë ekspertizë janë miratuar nga Bordi i ARKEP në mbledhjen e datës 21 gusht 2019 dhe procedurat e përzgjedhjes do të bëhen në një afat sa më të shpejtë nga Agjencia Qendrore e Prokurimit publik e cila është përgjegjëse për prokurimet e ARKEP.

ARKEP ka pranuar informacionin nga Telekomi i Kosovës se faza e tranzacionit për përmbyllje të këtij procesi do të zgjasë 120 ditë nga data 30 korrik 2019 dhe ARKEP pas marrjes së sqarimeve të nevojshme nga palët si dhe kalimit nëpër hapat e domosdoshëm ligjor, do të marrë vendim në një afat sa më të shpejt që të jetë e mundur në lidhje me këtë çështje.

Pandërmjetshëm, dëshirojmë të theksojmë se Ligji për komunikimet elektronike obligon ARKEP që vendimet e marra të mos jenë diskriminuese ndaj asnjë ndërmarrje apo individi, prandaj jemi të obliguar të jemi të kujdesshëm dhe profesional në vendim-marrje, në mënyrë që vendimet tona të sotme të mos krijojnë precedent për raste gjyqësore kundrejt institucioneve të Republikës së Kosovës.  

ARKEP do të shqyrtoj çdo kërkesë të Telekomit të Kosovës në afat të përshpejtuar kohor në pajtueshmëri me Ligjin për komunikimet elektronike.

Përfundimisht, i bëjmë  me dije konsumatorët dhe opinionin e gjerë se, ARKEP  është i vendosur në përkushtimin e vetë për zbatimin e Kushtetutës, ligjit dhe akteve tjera  rregullative, sa i përket zhvillimit të veprimtarisë dhe zbatimit të kompetencave në fushën e vet. Prandaj, në asnjë rast nuk do  t'i nënshtrohet interesave të kujtdoqoftë, e as paragjykimeve të pabaza.