MoU mes EKIP & ART
Prishtinë. 10 Mars 2010
Të Premten, me 12 Mars, 2010, ora 10:00 në ambientet e Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit (ART) në prezencen e mediave publike dhe anëtarëve të Bordit të ART-së dhe stafit profesional si dhe stafit drejtues të Agjensionit për Komunikime Elektronike dhe Postare (EKIP) nga Republika fqinje e Malit të Zi, në organizimin e ART-së do organizohet ceremonia zyrtare e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit (MoU) në fushën e komunikimeve elektronike në mes Agjensionit për Komunikime Elektronike dhe Postare (EKIP) të Republikës së Malit të Zi dhe Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit të Republikës së Kosovës.
Marrëveshja nga ana e ART-së do të nënshkruhet nga z. Ekrem Hoxha, Kryetar i Bordit të ART-së dhe zoti Zoran Sekulič - Drejtor Ekzekutiv i EKIP.
Marrëveshja e negociuar mes dy rregullatorëve, ka si objektiv krijimin e kushteve reciproke për thellimin e marrëdhënieve miqësore mbi bazën e barazisë dhe përfitimit të ndërsjellë, gjithnji duke ju referuar rëndësisë së komunikimeve elektronike në zhvillimin e mirëqenies shoqërore dhe ekonomike të të dyja vendeve.
ART në komunikatën për media kumton se marrëveshja është negociuar pas konsultave intensive me rregullatorin nga Republika e Malit të Zi dhe rregullatorët tjerë nga shtetet e regjionit mbi bazën e përbashkët për planet dhe programet si dhe gatishmërinë për të mbajtur kontakte të rregullta dhe për të zhvilluar bashkëpunim praktik në çështjet që kanë të bëjnë me shërbimet e komunikimeve elektronike dhe telekomunikuese.
ART shpjegon mëtutje se marrëveshja kornizë ofron bazë të qëndrueshme legale për arritjen e përfitimeve që mund të rriten edhe për dy institucionet rregullatore nga bashkëpunimi reciprok në çështjet që kanë të bëjnë me shkëmbimin e informatave, përvojës dhe dokumenteve mbi zhvillimin e shërbimeve të komunikimit elektronik në të dyja vendet.
Kryetari i Bordit të ART-së, z. Ekrem Hoxha shpjegoi se marrëveshja mundëson nga aspekti legal që nga ana teknike ekipet e specializuara të rregullatorëve të minimizojnë dhe rregullojnë çështjet e interferencave ndërkufitare në brezet/kanalet frekuencore gjë që do i mundësojë shfrytëzim optimal të resurseve frekuencore nga ana e operatorëve nacional nga dyja palët nënshkruese të marrëveshjes.
ART në kumtesën për media potencon se akti i nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit paraqet moment publik dhe solemn të nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit mes të Agjensionit të Komunikimeve Ektronike dhe Postare të Malit të Zi dhe Autoritetit Rregullator të Telekomunikicionit të Republikës së Kosovës, për të cilën kjo është marrëveshja e dytë me karakter ndërkombëtarë.
ART do të angazhohet fuqishëm që të fuqizojë dhe promovojë edhe mëtutje bashkëpunimin rajonal dhe koordinimim mes agjensioneve regjionale me theks të veqantë në menaxhimin e shërbimeve telekomunikuese e posaqërisht në menaxhimin efikas të brezeve frekuencore si resurse të kufizuara.
ART, konfirmon se marrëveshja e rradhës do të nënshkruhet gjatë javës së tretë të muajit Mars, me rregullatorin nga Republika e Shqipërisë dhe se me këtë do rrumbullakësohet edhe cikli i fuqizimit të marrëveshjeve kornizë me shtetet e regjionit dhe në kontinuitet ART do mbetet e angazhuar në jetësimin e këtyre marrëveshjeve me mision dhe objektiv krijimin e kushteve për zhvillimin e sektorit të komunikimeve elektronike gjegjësisht telekomunikacionit.