Këtë artikull gazetarja në mënyrë plotësisht të pabazuar e titullon "shfrytëzohen veturat zyrtare, fryhen edhe faturat" pa ofruar asnjë edhe një dëshmi se është fryrë ndonjë faturë ndonjëherë në ARKEP.
Më tutje në storie thuhet se mendohet se z. Ademaj për rreth 2 vite e gjysmë ka harxhuar rreth 12 mijë litra naftë, gjë që është plotësisht e pabazuar në asnjë fakt të vetëm, megjithëse ne kemi ofruar dëshmi se të gjitha shpenzimet e ARKEP për naftë gjatë 3 viteve të kaluara për 7 vetura kanë qenë 18776,34 euro për të gjithë bordin dhe stafin e ARKEP për veturat të cilat janë përdorur. Për veturën fjalë në përdorim nga z.Ademaj e poashtu edhe stafi i ARKEP është harxhuar proporcionalisht me veturat e tjera në ARKEP, përkatësisht për këto 3 vite janë harxhuar më pak se 3800 litra naftë. Kujtojmë se puna në ARKEP e anëtarëve të Bordit është punë me orar të rregullt.
Prandaj, ARKEP duke e pasur të qartë situatën dhe shpenzimet plotësisht të dokumentuara dhe të raportuara si edhe shpenzimet e karburantit nën nivelin e planifikuar (kur për këto 3 vite ishin planifikuar bazuar në vitet paraprake të shpenzohen 30.000 euro në këtë kategori ndërsa janë harxhuar vetëm rreth 20.000 euro) nuk ka pasur asnjë arsye të ndërmerr masa siç sugjerohet në artikull.
Po ashtu, në këtë storie gazetarja e bën ngatërrimin e ndërmarrjes Posta e Kosovës dhe Telekomi i Kosovës të cilat janë dy ndërmarrje më veprimtari të ndryshme biznesore dhe të pavarura nga njëra tjetra. Më tutje, në artikull konstatohet se marrëdhënia e punës e të birit të z. Ademaj në Telekomin e Kosovës po konsiderohet si blerje e votës nga anëtarët tjerë të Bordit pa u përmendur nga cili anëtar dhe pa asnjë fakt të vetëm të ndërlidhjes së vendimmarrjes në ARKEP dhe punës së djalit të z.Ademaj në Telekomin e Kosovës. Kujtojmë se në sektorët që i mbikëqyr ARKEP punojnë rreth 10000 punëtorë dhe se djali i z.Ademaj është i punësuar në një nga shërbimet mbështetëse në këtë ndërmarrje në mënyrë plotësisht të pavarur.
Tutje, në artikull pretendohet se ARKEP kishte marrë vendim të 'Paligjshëm' për subvencionimin e Postës së Kosovës, për të cilën gjë është ndikuar vota e z. Ademaj, pa përmendur poashtu asnjë fakt të vetëm dhe pa u përmendur asnjëherë se cili ligj është thyer me këtë rast për tu konsideruar i paligjshëm ky vendim. Po e rikujtojmë opinionin, se ARKEP në këtë rast nuk ka bërë as më shumë as më pak sesa ka marrë një vendim që është plotësisht në pajtueshmëri me ligjin për shërbimet postare i cili në nenin 45 përcakton se: Realizimi i shërbimi universal postar, mbajtja dhe zhvillimi i tyre sigurohen në rast nevoje edhe me mbështetje nga Qeveria përmes subvencioneve.
ARKEP kishte vendosur me vendimin në fjalë që të lejohet subvencionimi i ndërmarrjes Posta e Kosovës nga Qeveria e Kosovës edhe pse nuk e kishte obliguar subvencionimin e Postës si edhe kishte konstatuar humbjet nga ky shërbim bazuar në letërkonfirmimin e auditorit të jashtëm të Postës me kërkesë të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik.
Prandaj, cilësimi "joligjor" i një vendimi, vetëm pse një anëtar i Bordit ka qenë kundër këtij vendimi dhe arsyen e kundërshtimit të tij as që e kishte përmendur gjatë trajtimit të kësaj teme para dhe gjatë mbledhjes së Bordit mund të konsiderohet se është dhënie e një kahje të qëllimshme e një vendimi të rregullt të marrë në bazë të ligjit nga ARKEP. ARKEP i qëndron plotësisht prapa atij vendimi të ligjshëm.
Duke vlerësuar lartë punën e gazetarisë hulumtuese shpresojmë që lëshimet e ndodhura në këtë storie të jenë të paqëllimshme dhe mbesim të përkushtuar për të punuar në mënyrë profesionale për avancimin e punës së sektorëve të cilët mbikëqyrim.