Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP) sqaron opinion publik se nuk ka qenë palë pjesëmarrëse në kontestin e arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare, ndërmjet kompanive Telekomi i Kosovës (ish-PTK) dhe Dardafon (i njohur me emrin komercial Z-Mobile), as si institucion dhe as individualisht asnjë zyrtar i ARKEP.
Në bazë të legjislacionit aktual në fuqi, raporti ndërmjet operatorit të rrjetit të telekomit dhe operatorit virtual të rrjetit, në këtë rast Telekomit të Kosovës dhe Z-mobile është raport komercial dhe rregullohet në bazë të marrëdhënieve kontraktuale që ata kanë.
Në bazë të informatave publike që janë ofruar nga pjesëmarrësit në këtë proces, e të cilat janë të vetmet informata që ARKEP posedon në lidhje më këtë rast, vendimi përfundimtar i Tribunalit të Arbitrazhit për rastin ndërmjet këtyre dy kompanive i marrë në dhjetor të vitit 2016 i referohet ekskluzivisht neneve të kontratës së në mes të këtyre dy kompanive si dhe zbatimit të tyre.
Për autoritetin zgjidhja e mos-marrëveshjeve ndërmjet këtyre dy kompanive nëpërmjet arbitrazhit ndërkombëtar, me gjithë faktin se mund të jetë e bazuar ligjërisht nuk i kontribuon aspak zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit dhe kthimit të investimeve në sektor dhe në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët.
ARKEP në bazë të ligjit për komunikime elektronike është i obliguar që të siguroj mosdiskriminimin dhe barazinë në trajtimin e ofruesve të rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike gjë edhe të cilën e bënë në vazhdimësi.
Në fund në emër të Bordit Drejtues të ARKEP dëshirojmë të vejmë në dukje se gjatë mandatit të Bordit aktual të ARKEP, në vazhdimësi ka pasur mirëkuptim dhe janë trajtuar me prioritet si edhe janë miratuar të gjitha kërkesat e mbështetura ligjërisht, të adresuara drejt ARKEP nga operatori publik Telekomi i Kosovës.
Prishtinë,
07 Maj, 2018