Komunikatë për Media

Inovation

Prishtinë, 26 Prill 2010

Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit në datat 23 dhe 24 Prill 2010 ka zhvilluar me sukses operacionin për eliminimin e antenave ilegale të operatorëve të telefonisë mobile të vendosura brenda territorit të Republikës së Kosovës. Ky aksion është ndërmarë me qëllim të zbatimit të obligimeve ligjore që derivojnë nga Ligji i Telekomunikacionit.

Pesë ekipe profesionale të ART-së dhe kontraktorit të specializuar të shoqëruar nga zyrtarë kompetent të ATK-së dhe forcat të specializuara të Policisë së Kosovës sipas planit operacional të hartuar dhe aprovuar nga bordi i ART-së, gjatë dy ditëve kanë ndaluar, cmontuar dhe sekuestruar pajisjet telekomunikuese në 26 stacione bazë (BTS) të vendosura në 22 lokacione në pjesë të ndryshme të territorit të Republikës së Kosovës.

Në këtë fazë ART konsideron aksionin si të përfunduar por duke tërhequr vëmendjen se gjendja në tregun e telekomunikimeve do të përcjellet në mënyrë të vazhdueshme dhe se vendosmëria për të vendosur dhe ruajtur ligjshmërinë në këtë fushë është në nivelin më të lartë. Çdo vendosje e pajisjeve telekomunikuese pa lejen paraprake të ART-së do të konsiderohet ilegale dhe do të trajtohet si e tillë.

Ndërkohë, ekipet e monitorimit të ART-së ditët në vijim do të bëjnë matje të reja për të ekzaminuar më në detale efektin e aksionit të ndermarrë më datat 23 dhe 24 prill në mënyrë që ato të dhëna të shërbejnë për analiza të gjendjes së re në terren dhe për të vlerësuar nevojën edhe për aksione tjera për të neutralizuar aktivitetet ilegale brenda territorit tonë.