Prishtinë, 17 Maj 2010
Si rezultat i Operacionit të ART-së të datës 23 dhe 24 Prill 2010, ART konfirmon se është ndërprerë bërthama dhe kapacitetet kryesore funksionale të Operatorëve ilegal të shërbimeve të telefonisë Mobile në territorin e Republikës së Kosovës. Procesi i ndalimit dhe ndërprerjes së përdorimit ilegal dhe anti-ligjor të resurseve të kufizuar frekuencore në territorin e Kosovës, do të jetë permanent dhe në mbikëqyrje të vazhdueshme nga ART.
ART është dhe mbetet e vendosur në eliminimin edhe të pjesëve të mbetura, por periferike të operimit të tyre.
ART konfirmon se në ato pjesë ku krijohet përshtypja e funksionalitetit, kapaciteti i tyre është shumë i vogël që përcjellët me dështime të vazhdueshme në realizimin e thirrjeve telefonike në atë pjesë të mbetur të ‘rrjetës’ telekomunikuese të këtyre ‘operatorëve’.
Në përpjekje të këtyre ‘operatorëve’ të rimëkëmben, janë duke u shtuar kapacitetet dhe fuqitë e transmetimit në pikat rreth brezit kufitar të Republikës së Sërbisë me Republikën e Kosovës, rrjedhimisht kemi depërtim më të thellë të sinjalit në brendi të territorit të Republikës së Kosovës. Këto veprime janë në kundërshtim me rekomandimet teknike të ITU për punë të pajisjeve në brezin kufitar të shteteve të ndryshme.
Për opinionin e gjërë publik duhet të jetë e qartë se përpjekjet e Operatorëve ilegal dhe të mbështetësve të tyre, SIGURISHT nuk do te janë të frytshme. ART-ja me konsekuence do të përcjellë çdo aktivitet në këtë fushe dhe me kohë do t'i ndërmarrë veprimet e nevojshme.