Komunikatë për Media- Përfundon programi i zhvillimit të kapaciteteve për sektorin e Komunikimit Elektronik në Kosovë

Sot është përmbyllur me sukses në një ceremoni rasti program i zhvillimit të kapaciteteve për sektorin e komunikimit elektronik në Kosovë. Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim kanë prezantuar rezultatet e arritura të këtij programi.

Programi në të cilin u përfshinë trajnime dhe mbështetje rregullatore për një ambient dinamik dhe në zhvillim të vazhdueshëm të tekomunikimit, internetit dhe rrjeteve të shërbimeve brezgjera, u  zhvillua gjatë muajve Shtator, Tetor dhe Nëntor.

Në ceremoninë e organizuar për këtë rast, Kryetari i Bordit të ARKEP z.Kreshnik Gashi tha se: "ky program është planifikuar nga ARKEP së bashku me BERZH-in dhe është bazuar në faktin se zhvillimi i sektorit të ICT në Kosovë është në vazhdimësi i lidhur me njohuritë dhe kapacitetet sa më të avancuara për rregullimin e këtij sektori".

Ekspertë të ndryshëm nga vende të Evropës, nën organizimin e BERZH kanë mbajtur trajnime në zyrat e ARKEP në Prishtinë. Ata poashtu, kanë këshilluar edhe ekspertët e ARKEP për çështje të ndryshme sfiduese për sektorin. Rregullimi i tregjeve të komunikimeve elektronike është mjaft kompleks dhe përfshinë fusha, si ajo ligjore, politikat, teknike, financiare dhe të konkurrencës. Temat të cilat janë mbuluar janë trendët e ICT, tregjet, konkurrenca, menaxhimi i spektrit frekuencor, numeracioni, teknologjitë, konvergjenca, çështjet e konsumatorëve dhe efektiviteti i përgjithshëm rregullator.

Në përgjithësi një numër prej 74 pjesëmarrësish janë trajnuar gjatë gjithë procesit, ku ka pasur pjesëmarrës nga i gjithë sektori i ICT, përfshirë edhe operatorët. Mesazhi kryesor i nxjerr nga trajnimi përfshinë nevojën për të përmbushur kërkesat për shërbime më të mira, në veçanti në lidhje me shërbimet brezgjera që mundësojnë komunikim më me internet të shpejtësisë së lartë, e gjithë kjo nëpërmjet një ambienti që mundëson politika dhe rregullim efikas të tregjeve të komunikimeve elektronike. Përmirësimi i vazhdueshëm i ofrimit të një ambienti efikas rregullativ do të ndikoj në rritjen e investimeve në sektorin e ICT dhe do të ketë rezultat në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në këtë ngjarje janë ndarë certifikata për pjesëmarrësit të cilët përveç nga ARKEP kanë qenë edhe nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Komisioni i Pavarur i Mediave, Komisioni i Konkurrencës si edhe përfaqësues të operatorëve të rrjetave dhe ofruesve të shërbimeve të komunikimeve elektronike.